Çdo ditë kërkojmë të informohemi dhe të zbulojmë zhvillimet më të fundit në kohë reale për shoqërinë tonë.
Është pikërisht media burimi kryesor i gjithë informacionit të shprehur në formën e saj të shkruar dhe elektronike, duke shpalosur nivelin ekonomik, politik dhe kulturor të një shoqërie.
Ndërkohë që situata të tilla si paqëndrueshmëria ekonomike, politike e dhuna në Shqipëri janë tema mjaft komplekse dhe kërkojnë aftësi shumë të mira të përpunimit dhe publikimit të këtyre informacioneve. Gjithashtu përsa u përket temave argëtuese, edukuese dhe kreative, promovimi i të cilave është mjaft minimal, është diçka serioze dhe tregon mosruajtjen e balancës në interpretimin e situatave të tilla të kundërta me njëra-tjetrën.
Ndikimi i portaleve mediatike në Shqipëri është sa pozitiv, por edhe negativ gjithashtu.
Lind pyetja: Si duhet të ndikojë media shqiptare më pozitivisht në vendin tonë?
Duke transmetuar realitetin në çdo detaj pa manipulime të informacionit, shumë bukur ajo informon çdo individ në lidhje me atë çfarë ndodh në të vërtetë.
Ndërkohë që në rastin e medias shqiptare, tonet e pozitivitetit zbehen, sepse kemi të bëjmë me keqpërdorim të informacionit, sepse përfaqësuesit mediatike ndikohen nga politika apo interesa të tjera te veçanta personale ose kolektive. Gjithashtu duke treguar shpeshherë mungesë profesionalizmi dhe keqinterpretimi ndaj këtyre informacioneve, kjo mund të sjellë keqkuptime ose panik tek njerëzit, që pasohet edhe me veprime ekstreme të kryera prej tyre.
Duke qenë se vendi ynë cilësohet si një nga shtetet me vitalitetin më të lartë të popullsisë është e nevojshme që mediat të arrijnë të kujdesen në lidhje me llojin e informacionit që transmetojnë. Mediat e shkruara dhe vizive janë mjetet, të cilat përdoren si dritare për të rinjtë, të cilët priren ta ndjekin dhe të frymëzohen prej saj, por mediat shqiptare në shume raste janë mospërfillëse ndaj këtij fakti, për shkak se në to transmetohen pamje, video dhe akte të rënda dhune me qëllim informimin e njerëzve në lidhje me një ngjarje të ndodhur dhe askush nuk kujdeset që ky lajm të kontrollohet për tu transmetuar dhe ndjekur vetëm nga individë të një moshe të caktuar, veçanërisht për qëllime sigurie dhe mbrojtje të të miturve, tek të cilët këto pamje mund të shkaktojnë trauma dhe shqetësime të tjera të rënda
Sot media jonë prodhon dhe transmeton një numër të pakët të emisioneve humoristike, edukative apo këshilluese, të cilat janë tepër të nevojshme për të përmirësuar komunikimin mes individëve, sjelljen, të kuptuarit apo ofrimin e argëtimit.
Gjithashtu vlen të përmendim që në ditët e sotme mediat tradicionale janë zëvendësuar me mediat sociale dhe gjithë informacioni merret nga interneti. Vihet re që impakti i tyre në shoqëri është i jashtëzakonshëm, duke zhvendosur komunikimin ndërpersonal në atë nëpërmjet ekranit, duke kursyer kohë dhe duke mundësuar informim të menjëhershëm, gjithëpërfshirës, në kohë reale në çdo cep të botës.
Por, pavarësisht formës së medias që përdor shoqëria shqiptare, çdo informacion që publikohet nga media duhet të jetë i kontrolluar, i përpunuar apo i transmetuar me profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë, për ti përçuar, realitet, pozitivitet, vlera dhe shpresë për një të ardhme më të mirë, shoqërisë sonë shqiptare.
Punoi: Mikael Lipi