Jemi në vitin 2023. Pas 3 vitesh, bota ka kaluar shumë vështirësi, e  mendimet e njerëzve janë formësuar më qartësisht rreth situatave të ndryshme që  kaluam, pikërisht për faktin se koha është ajo që rregullon gjithçka. 2020-a ishte një vit i vështirë për të gjithë ne, veçanërisht në Shqipëri. Fill pas tërmetit të  nëntorit, ne shpresuam që 2020 do të ishte një vit më i mbarë por u gabuam.

Kur njerëzit akoma po jetonin nëpër çadra me frikën e një tërmeti tjetër dhe traumën që  pësuan nga humbjet e familjarëve ngushëllimi i vetëm që kishin ishte që viti 2020  të ishte më i mirë për ta…Por sapo hyri 2020 gjërat ndryshuan.

Shumë njerëz ankoheshin se ishin lënë pas dore nga shteti, por telashe kishte edhe  në botë. 2020-a filloi me vrasjen e George Floyd nga policët në SHBA, kjo gjë që  shkaktoi protesta dhe kaos. Në shumë pyje kryesisht atë të Amazonës ra zjarr që  dëmtoi një pjesë të konsiderueshme të mushkërive të Tokës. Por gjëja më shokuese që ndodhi dhe që do të shkatërronte kaq shumë jetë e kaq familje, ishte shpërthimi  i një epidemie vdekjeprurëse akoma të panjohur në Wuhan. Shumë e krahasuan me  SARS, në fillim nuk e morën seriozisht. Por ajo u përhap me shpejtësi, nga Wuhani në të gjithë botën. Të gjithë ishim me frikën e diçkaje që nuk e njihnim. Si do të  mbijetonim? Çfarë do të bënim për ta ndaluar? Mjekët në spitale thoshin se nuk mund të vazhdonin më duke luftuar dhe qanin. E gjithë bota u fut në karantinë, por  kjo ndikoi shumë në mënyrën e jetesës së njerëzve dhe mbi të gjitha në mendimet e  psikologjinë e tyre. Autoritetet përpiqeshin të na bindnin që nuk duhet të bënim  panik e të kishim frikë, dhe këto paralajmërime ishin çka na shqetësonte më  shumë. Pa u rikuperuar mirë nga plagët e kaluara, ne po përballeshim me një sfidë  të re. Nuk mund të bënim as gjërat që merreshin si të mirëqena, tani ato dukeshin si  diçka e pamundur dhe me rrezik. Kishte shumë spekulime, panik e frikë. Këto  ishin arsyet kryesore pse njerëzit u bënë konfuzë, të influencuar gjithmonë nga  mendime të jashtme dhe nga frika që kishin përbrenda.

Një njeri, kalon situata të ndryshme gjatë jetës, të cilat lenë gjurmë në kujtesën e  tij, dhe breza të ndryshëm kanë pasur kujtime të ndryshme. Por ato që lenë më  shumë gjurmë e vulosen në mendje janë kujtimet e hidhura, të cilat shkaktojnë vuajtjet, të pamundura për t’u harruar. Nëse prindërit tanë na kanë folur ne për  gjendjen e anarkisë në vitin 1997, ne do t’iu flasim fëmijëve tanë për tmerrin e  përjetuar në 2020. Ky paralelizëm na tregon se gjeneratat e ndryshme përjetojnë  ngjarje të ndryshme që kanë impakt në mënyrën e tyre të jetesës, mendimet dhe jo  vetëm. Si njerëz, ne do të përballemi me të gjitha këto. Para rrjedhës së jetës ne jemi të pafuqishëm, e gjithçka që mund të bëjmë është të shpresojmë se do të ketë  ditë më të mira për botën, e jo përsëritje të viteve tragjikë si 2020.

Punoi: Katerina Naçi