Mbyllini sytë për një moment dhe përpiquni të përfytyroni një dhomë pa dyer e dritare. Uluni në të dhe qëndroni në mes të dyshemesë. A jeni të lirë? Sigurisht që jo, por në realitet probabiliteti që ju te ndodheni në një dhomë të tillë është thuajse zero. Po në shkretëtirë ama? Në fillim të përcaktojmë shkretëtirën.
Jo për t’u hallakatur, më shumë se për t’i dhënë pak shije e teksturë kësaj eseje, po e marrim për të mirëqenë se shkretëtira nuk pre supozon vetëm konceptin gjeografik të emrit, por përdoret si simbol për shumëçka tjetër. Absolutisht që vëmendjen më të madhe do ta marrin njësoj. Se ku e gjen veten gjithsecili, është temë jo për ese po për pyetësor.
Shkretëtira: thatësirë, temperatura të larta dhe mbi të gjitha perceptime të gabuara. Të gjendesh në shkretëtirë, në llojin e parë të paktën, do të thotë të gjendesh në një hapësirë gjeografike të madhe pa botë bimore e pa botë shtazore, mbuluar me rërë a me akuj, këtë po e lë në dorë të përfytyrimit tuaj. Në të tillë shkretëtirë njeriu do të gjendej si peshku pa ujë dhe fatmirësisht, si për t’i bërë nder esesë, këtu arrijmë të shohim karakterin e larmishëm të lirisë si koncept.
Të qenit i lirë nuk do të thotë të kesh një vullnet dhe pavarësi ekonomike, por do të thotë të jesh i lirë nga pikëpamjet, mendimet, fjalët, gjendja penale, represioni, terrori, besimi. Të qenit i lirë do të thotë të identifikohesh si i tillë.
Në derman të temës, i lirë quhesh kur je i pakushtëzuar në përdorimin sipas nevojave të ligjeve e atyre çka natyra të ofron. Në gjendjen më të keqe të mundshme, pa ujë, pa ushqim, pa veshje e pa një sistem nervor të fortë, i ke ditët e numëruara. Në të kundërt, je me fat po erdhën të të kërkojnë, a më mirë të themi po të gjetën. E çuditshme se si vetëm një ngjyrë që zbërthen spektri i lirisë, nxjerr jashtë loje të tjerat. Ky reaksion pa mbarim, që nis me ndjesinë e etjes dhe përfundon me dorëzimin e trupit dhe fuqive, nuk ka nevojë për katalizatorë si liria e fjalës, liria e mendimit, a ajo e të drejtave, pasi në shkretëtirë ty të mohohet liria e të bashkëjetuarit me veten. Do t’i dorëzohesh mbijetesës, pa një pa dy.
Lloji i dytë i shkretëtirës, është ai i mungesës së njerëzve. Nuk po i llogarisim të tjerat, po e marrim për të vërtetë se i vetmi element i munguar është njeriu. A do të jesh i lirë? I vetëm. Kjo është fjala kyç për ta zbërthyer.
Njeriu, për nga natyra është qenie kurioze, me një tendencë të sëmurë për të prekur diçka edhe pse e merr me mend se do të digjet. Po në momentin kur nuk ke dikë të të shtyjë? Si qenie njerëzore, ne bashkëveprojmë, jemi nxitësi dhe ngacmuesi më i madh i njëri-tjetrit. Mënyra jonë e të jetuarit mbështetet mbi bashkëjetesën. Ia kemi nevojën njëri-tjetrit, jo vetëm për të qenë dy e jo një, por për të kuptuar se si funksionojmë.
A e dini se ne funksionojmë mbi bazën e dy llojeve të inteligjencave? Neokorteksi nuk është i vetmi tru që na shërben. Poshtë tij gjendet një strukturë trunore mëmë, rrethi limbik (jo, ka dhe s’ka lidhje me Danten), i cili, për t’i rënë shkurt, është përgjegjës për ndjenjat dhe emocionet, por a nuk thamë se ne jemi nxitësit më të mëdhenj të njëri-tjetrit? Në mungesë të një bashkëshoqëruesi, të vetmet ndjenja që do të kultivojmë do të jenë frika, trishtimi, inati dhe dëshpërimi. Absolutisht që nuk duhet të jesh Raskolnikov që të gërryhesh nga brenda prej këtyre ndjenjave. Besoj e kuptoni pse shpeshherë thonë se filani a fisteku vdiq nga vetmia. Nuk do të thotë se u bë derr nga mërzia, por se humbi botën që njeh, sistemin e reagimit, motivimin, ndjenjën, flakëzën e jetës. I rrethuar nga të tilla ndjenja, njeriu nuk mund të manifestojë asnjë lloj lirie. I vdekur jo e jo dhe po të mendosh që në të tillë shkretëtirë nuk ke mundësi të trashëgohesh, rrethi i jetës bëhet vicioz, në të liria është një koncept utopik.
Ndalemi te lloji i tretë i shkretëtirës. Ky është lloji më i keq. Është shkretëtira e brendshme e njeriut.
Të ndihesh i padëshiruar, i përbuzur, i panevojshëm, i padobishëm, të të bëjnë për budalla, të të bëjnë të ndihesh i tillë e mbi të gjitha të kuptosh se nuk ke një vend diku në shoqëri, jo vetëm në zemër, është fati më i keq që mund t’i urosh dikujt. S’është aspak subjektive. Në fund të fundit, po të mos i kishim provuar të gjitha këto, s’do dinim ç’është objektivizmi, ndaj ju them se ajo më lart është fjalia më objektive që kam shkruar ndonjëherë.
Për ju që s’keni provuar të paktën një nga këto ndenja, është e kotë të vazhdoni më tej me leximin e kësaj eseje.
Kjo shkretëtirë nuk shihet, por ndihet; nuk kultivohet, por thjesht lind; nuk tutet, por të bëhet shoqëruese; nuk është aty përgjithmonë por shërohet? Për këtë s’ka përgjigje të saktë. Kjo shkretëtirë sa e bukur artistikisht, është aq e vërtetë. Zhvishuni për një moment nga petku i gjykuesit dhe bëni dy llogari me mendje. Pa i bërë do ta ndjeni se këto janë të vërteta. Nuk do shumë mend se njeriu e ndjen veten të lirë në këtë shkretëtirë, sa një i burgosur ndihet i lirë pas telave me gjemba. Them kështu për një arsye.
Pamë se paska shkretëtira gjeografike, shoqërore dhe shpirtërore. Nga të tëra këto, më e bukura është se të tria mund të kombinohen e do të bashkëjetojnë, do të lulëzojnë së bashku me këto cilësi dhe do t’ju rrëmbejnë, por çdo kriminel lë gjurmë prapa. Gabime gjen dhe për të mos e anatemuar shpresën, ju them se ka një të tillë gjithmonë.
Një ndër karakteristikat më të bukura të njeriut është se ai është në zhvillim të vazhdueshëm. Jemi qenia më përparimtare që ekziston si mendërisht, si shpirtërisht. Nuk ka të pamundur, ajo është vetëm një koncept si shumë të tjera. Po të mos ta mësojnë në vegjëli se ç’është peshku e mishi, mishit do t’i thërrisje peshk dhe anasjelltas.
Liria nuk shtrihet vetëm në horizontin ku njeriu gjen mjedis për të qenësuar vetveten, por për ta kapërcyer atë derisa kapërcimi të kthehet në të qenësishme. Kjo është një spirale që nuk mbaron.
Themi se në çdo lloj shkretëtire, njeriu është i lirë, sepse liria është hormoni i tij shoqërues, është sensi që na orienton, dëshira primitive që drejton edhe më të trashin.
Kudo jemi të lirë. Jemi ne ato që e përcaktojmë lirinë në varësi të rrethanave dhe kushteve metafizike ku ndodhemi. Kjo është arsyeja pse në shkretëtirën e parë ne e privojmë lirinë, pasi e dimë se në një moment, nëse fati e rrethanat nuk na ndihmojnë, liria jonë nuk do të mundet të bashkëpunojë më me nevojën për të qenë gjallë. E nëse liria nuk i shërben këtij qëllimi? Ajo thjesht nuk ekziston.
Është pikërisht ndjenja e lirisë, mungesa e saj, ngacmimi i saj, dëshira për të, mos vlerësimi i saj, mos perceptimi i saj, që me shumë mundësi kanë çuar në krijimin e kësaj teme eseje.
Punoi: Selma Muzhaqi