Në qoftë se do të mundohemi të bëjmë një përqasje midis shkrimtarit dhe politikanit, mendja na shkon tek një tipar i dukshëm i përbashkët: mënyra e përdorimit mjeshtëror të fjalës.

Duke qenë se letërsia është arti i fjalës, funksion parësor ka atë estetik, pra të ngjallë tek lexuesi ndjenjën e së bukurës. Kështu, duke provuar kënaqësi të një lloji të veçantë, lexuesi merr mesazhe pozitive dhe tenton të njohë më mirë veten dhe botën që e rrethon.

Por, që të marrë lexuesi këto vlera, vepra duhet të jetë shkruar qartë dhe në mënyrë tërheqëse. Gjuha duhet të jetë e organizuar mirë dhe t’i përshtatet publikut (marrësit).

Këtë lloj gjuhe nuk e përdorin vetëm shkrimtarët, por edhe politikanët, biznesmenët, shkencëtarët, etj. Të gjithë këta njerëz, që tentojnë të komunikojnë me një publik të gjerë, të niveleve të ndryshme dhe kërkojnë të ngjallin interesin masiv të tyre, kanë një karakteristikë të përbashkët: mënyrën e përdorimit mjeshtëror të fjalës. Ato duhet të zotërojnë artin e oratorisë, të jenë të qartë e bindës në komunikim dhe kështu të fitojnë sa më shumë admirues e përkrahës.

Në këtë pikë përputhet shkrimtari me politikanin. Duke qenë se raporti dhënës/marrës është një më shumë, kuptohet qartë që dhënësi duhet të jetë mjaft i zoti i gojës/dorës që të arrijë qëllimin e vet në publik. Me këtë lidhet edhe suksesi i figurave të tilla të botës së letrave shqipe në politikën shqiptare, si psh: S. Godo, D. Agolli apo B. Mustafa.

Modeli i shkrimtarit/politikan nuk është i panjohur apo fare i ri në v’ 90. Edhe më parë figura të shquara të penës kanë provuar aftësitë e tyre në politikë në të mirë të interesave kombëtare, si: Gj. Fishta, F. Konica, apo E. Koliqi e F. Noli. Këta emra të shquar letrarë janë modeli më i mirë i oratorit të talentuar dhe politikanit patriot. Por, suksesi i shkrimtarit-politikan s’lidhet vetëm me qëllimin e lartë për t’i shërbyer interesave kombëtare por edhe me gjetjen e mjeteve të duhura për t’ia arritur qëllimit. Dhe këtu fjala dhe arti i përdorimit të saj zëne vendin qendror.

Punoi: Isli Kafexhiu