Të qenurit pjese e forumit, më ka bërë të reflektoj rreth dëshirës së përfaqësimit të secilit prej nesh ne politikë. A është rinia e gatshme të luftojë për përmirësimin e çdo hallke te zinxhirit politik bërës në Shqipëri? A janë gati politik bërësit të hapin këto hallka drejt ideve inovative dhe drejt asaj “të ardhme” që përgatitet sot në të tashmen nga ne?

Rinia sot duhet të themi se e percepton politikën si një varke arkaike të së kaluarës ku refuzojnë të behën pjesë. Refuzojnë sepse shohin se nuk ka një vazhdimësi për të ngjitur shkallet nga një marinar në një kapiten i radhës. E kështu, vendosin mos të kenë pune më me ketë varke të mbushur me politik bërës që data e skadimit ju ka kaluar.

Politikani i lashte grek Perikliu thotë se “Pavarësisht se ju nuk shfaqni interes për politikën kjo nuk do të thotë që politika nuk është e interesuar për ju”. E nëse ti zgjedh te qëndrosh ne det pa qene pjese e varkës politik bërëse ,është e sigurt se valët do te sjellin që lundrimi juaj të jetë i përbashkët .

Të qenurit i angazhuar ne vendimmarrje lokale apo qendrore nuk është një qëllim më vete i rinise por një domosdoshmëri për ndërtimin e një shoqërie më të mirë.

Sipas Institutit te NDI mbi 50 përqind e të rinjve në Shqipëri janë indiferent ndaj politikës, ndërkohë që Kosova ka më të angazhuar të rinjtë si votues përherë të parë.

E pavarësisht se të rinjtë nën-moshën 25 vjeç përbëjnë gjysmën e popullsisë në shumë vende në zhvillim, pjesëmarrja e të rinjve në politikë mbetet në nivele shumë të ulëta. Kjo situatë bën që të përforcohen stereotipat që i kategorizojnë të rinjtë si njerëz të pa-interesuar për çështje politike, apo thjesht si objekte të politikës.

Koncepti i përfshirjes rinore ka evoluar, nga rinia si problem, gjithmonë në vështirësi dhe e përjashtuar drejt rinisë si një burim ndryshimi dhe force  përmes pjesëmarrjes, si një katalizator i rëndësishëm .

Rinia është ajo që bën revolucionin, që ndërton të ardhmen e që ndihmon zhvillimin. Në të gjitha vendet post-komuniste si vendi jonë, rinia ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndryshimin e sistemit, nga ai mono-partiak drejt sistemit pluralist. Në vendin tonë me demokraci le te themi të brishtë, situata e të rinjve, paraqitet problematike, sidomos kur vjen fjala për pjesëmarrje dhe vendimmarrje të vërtetë, si pranë partive politike, ashtu edhe në radhët e shoqërisë civile.

Roli i forumeve rinore vjen duke u zvogëluar kur vjen puna tek përfshirja e të rinjve në pozicione vendim-marrëse. Çështjet e të rinjve jo gjithmonë marrin vëmendjen që meritojnë nga strukturat, si kryesitë e partive, parlament, qeveri, dhe këshilla bashkiakë dhe ky përbën një fakt mjaft shqetësues.

Ama askush nuk ka lindur si një qytetar perfekt e asnjë komb nuk ka lindur në demokraci. Ne të rinjtë duhet të besojmë fuqishëm në garën për përfaqësim, sepse kjo i shumëfishon energjitë tona, e rrit vullnetin për përmirësim të vazhdueshëm të politikave rinore.

Besimi në hapësirat për veprim në një demokraci të vërtete janë të shumëfishta, prandaj duhet një ndryshim në artikulimin për “Rininë” dhe për “Vullnetarizmin”.  Përfshirja e të rinjve përqendron më tepër kërkesën në çështjet dhe problematikat rinore në axhendën parlamentare. Vendosja në prioritet e bindjeve politike afron qellim me te madh duke formuar një Aleancë të rinisë.

E te gjitha këto “duhet” nxisin shtysën që na bën ne të ecim përpara dhe te mos harrojmë se koha e re kërkon edhe njerëz të rinj. Ndryshimet e reja dhe dinamika e zhvillimit kërkojnë energjinë dhe vullnetin e të rinjve .Qytetarët e ardhshëm nuk do të jenë qytetarët e të djeshmes. Ata me shumë gjasa do të jenë më kritikë, më shumë të prirë që të abstenojnë, më shumë të gatshëm për të protestuar dhe do të kenë më pak besim në politikë. Më shumë të rinj në politikë e vendimmarrje sot, do të thotë demokraci më e konsoliduar dhe politikë më e mirëbesuar nesër.

Rinia është produkti i se djeshmes, e sotshmja plot vrull dhe le te punojmë për rininë e së nesërmes që duam.

Punoi: Kamelisa Selami