Që në lashtësi trevat shqiptare kanë qenë të populluara. Gjurmë të këtij popullimi janë dokumentuar nga zbulime të vlefshme arkeologjike, që e kanë zanafillën nga paleoliti i mesëm dhe neoliti. Në vijim gjatë periudhës ilire, me lindjen e qyteteve, popullsia u rrit duke arritur shifrën 1.5 milion të Arbërisë së mesjetës. Vitet e shekujt që kanë pasuar, janë shoqëruar me ndryshime të shumta demografike, në vazhdën e të cilave janë bërë edhe parashikime për prirjet e së ardhmes.
Regjistrimi i parë i mirëfilltë i popullsisë për Republikën e Shqipërisë është realizuar më 1923-shin, me jo me tepër se 814 mijë banorë, shifër kjo që paraqitet shumë e përafërt me vitet pasardhëse deri në ’30-tën. (Vjetari Statistikor i Shqipërisë,1991, fq.361).Deri në vitin 1945, popullsia ka pësuar rritje e megjithatë, shtimi natyror paraqitet shumë i ulët, si rezultat i vdekshmërisë së lartë. Ky fenomen ka qenë i ndikuar nga kushtet e vështira të jetesës, mungesa e higjienës, e kurave për sëmundjet, epidemitë, varfëria dhe mungesa e arsimimit. Më 30 shtator 1945 është realizuar regjistrim i popullsisë së përgjithshme në 1.122 mijë banorë. Në periudhën e komunizmit popullsia e Shqipërisë pati rritjen më të madhe, duke arritur 3.2 milion më 1989-ën. Kjo rritje paraqitet si rezultat i shtimit të lartë natyror dhe politikës së vet izolimit të shtetit shqiptar.
Me rënien e komunizmit, pas viteve ’90, ndryshimet demografike sillen kryesisht negative. Rritja në mënyrë drastike e nivelit te migrimeve dhe emigrimeve, por edhe ulja e shtimit natyror, kanë ndikuar në rënie të numrit të përgjithshëm të popullsisë si dhe në shpërndarje gjeografike të pabarabartë të saj.
Një pjesë e mirë e popullsisë vendase ka ecur drejt urbanizimit, duke braktisur kryesisht rajonin verior dhe verilindor e duke iu drejtuar rajonit perëndimor dhe kryeqytetit. Kjo lëvizje e brendshme po sjell jo vetëm mbipopullim të Tiranës, e cila sot ka 1/3 e popullsisë së vendit, por edhe shkatërrimin e zonave të braktisura si rezultat i mungesës së investimeve. Nga ana tjetër, emigrimi ka përfshirë pjesën më të madhe të popullsisë, e cila që pas ’90-tës filloi të drejtohej masivisht drejt shteteve europiane dhe jo vetëm.
Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e vazhdueshme të shqiptarëve emigrantë, kanë qenë:
- mundësitë më të mëdha për zhvillimin akademik dhe profesional (studimi dhe karriera)
- pagat më të larta për të njëjtat profesione
- bashkimet familjare
- niveli i lartë i korrupsionit (Raporti mbi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit: Shqipëria me 35-36 pikë nga 100 totali).
Sipas të dhënave të INSTAT, më 2022-shin, popullsia e vendit rezulton 2.79 milion, 1.3% më pak se sa në 2021, ndryshim që pritet të thellohet, sipas projeksioneve të realizuara.
Një rënie e tillë, është e trishtë në një vend me popullsi vitale dhe me potencial të lartë burimesh njerëzore. Ndonëse lëvizjet e popullsisë janë pjesërisht një dukuri normale dhe e pashmangshme, në kontekstin shqiptar, marrë parasysh gjithë çka është sipërpërmendur, është e mundur që të hartohen strategji e politika demokratike, që të nxisin të rinjtë të zgjedhin Shqipërinë në vend të emigrimit. Patjetër, kjo arrihet duke studiuar faktorët e këtyre lëvizjeve e për rrjedhojë duke krijuar mundësi për rritjen akademike dhe profesionale, duke shpërblyer profesionistët dhe duke i dhënë përparësi luftës kundër korrupsionit, si fenomen që shkakton pasiguri sidomos te të rinjtë.
Rrjedha e historisë e ka përfshirë Shqipërinë në situata e fenomene ne kundërshtim me avancimin e saj, të cilat kanë ndikuar në “shpërbërjen” e popullsisë, por strategji të reja, një frymë e re optimiste, mendje inovatore, të rinj që besojnë te forca e tyre, me kohën mund të sjellin ndryshimin.
Punoi: Katerina Drabo