Dita ditës teknologjia po përparon dhe kjo gjë shihet në çdo fushë të jetës sonë. Në shkollë, në punë, në shtëpi, kudo, teknologjia sa vjen e bëhet pjesë e pandashme në përditshmërinë tonë. E kush është ai person që nuk është ndikuar nga teknologjia? Pothuajse asnjë! Edhe ti që je duke lexuar këtë shkrim besoj se ke aty pranë një smartphone apo laptop. Sot njerëzit po luftojnë për një të ardhme më të mirë për të fituar sa më shumë të ardhura financiare. Koncepti i fjalës “PARA” sa po vjen e po ndryshon duke u digjitalizuar. Në ditët e sotme ato ç’ka po përdoren dhe po përhapen dita-ditës janë: kriptomonedhat.

Si fillim të kuptojmë çfarë janë kriptomonedhat! Kriptomonedha është një para digjitale e cila po zëvendëson paranë tradicionale duke ndikuar në formën e pagesës, blerje të ndryshme online si dhe në mënyrën e investimeve të ndryshme. Por ajo që bën skeptik njerëzit për të investuar paratë e tyre në këtë monedhë digjitale është se kjo veprimtari nuk është e miratuar dhe e mbrojtur nga autoritete zyrtare si për shembull: “Banka Kombëtare” e shtetit përkatës. Kjo gjë tregon se këto site apo rrjete kriptomonedhash mund të hakohen lehtësisht. Gjithashtu, kjo metodë mund të shërbejë për pastrimin e parave të fituara në mënyra të jashtëligjshme.

Le të shohim pak situatën aktuale të përdorimit të këtyre monedhave në Shqipëri. Që të kryesh aktivitetin e prodhimit të monedhave virtuale si fillim, duhet të jesh i licencuar sepse ligji e lejon prodhimin dhe kryerjen e këtij aktiviteti. Pra, nuk është ligjërisht i ndaluar. Rreth 30 mijë persona janë përdorues të kriptovalutave në vendin tonë. Ky raport tregon që njerëzit në një farë mënyre janë të interesuar dhe kanë njohuri rreth kësaj temë. Fitimet personale janë shumë të mëdha dhe njerëzit joshen.

Një pyetje që na lind të gjithëve është se si shteti shqiptar mban qëndrim për këto aktivitete . Shteti shqiptar është i interesuar që këtë pjesë, pra të kriptomonedhave ta vendosë në shërbim të bankave shqiptare. Kjo gjë do të ndikonte në ekonominë e Shqipërisë sepse kur aktiviteti i monedhave virtuale kryhet në mënyrë të ligjshme, futen në lojë taksat. Pra, monedha digjitale taksohet dhe në këtë mënyrë shteti merr mjaft të ardhura duke rritur ekonominë vendore. Shteti jonë bën përpjekje për të rritur mirëqenien e vendit dhe kjo metodë do të ishte një mënyrë mjaft e mirë.

Ne shohim që vetëm një term, ai “ KRIPTOMONEDHË” sjell kaq pasiguri, por dhe kaq përfitime për një vend në të njëjtën kohë. Me kalimin e kohës njerëzit do të synojnë që investimet e tyre t’i bëjnë në këtë formë sepse globalizimi dhe digjitalizimi do të bëjë të vetën. Duhet të mësohemi me faktin që bota po përparon dhe mënyrat tradicionale do të ndryshojnë. Fakti kryesor është që ne duhet të ndërgjegjësohemi për kryerjen e këtij aktiviteti në mënyrë të ligjshme dhe në këtë formë do të fitojmë edhe individualisht, por edhe në mënyrë të përgjithshme. Jeta po ecën dhe të rinjtë e çdo vendi duhet të ndryshojnë mentalitetin e tyre, që më pas të ndryshojnë vendin ku jetojnë.

Punoi: Elgis Dede