Pandemia e COVID-19 ka sfiduar mënyrat se si ne mendojmë apo veprojmë ndaj lëvizshmërisë në të gjithë botën. Migrantët e parregullt janë akoma duke luftuar me varfërinë, shpërnguljet dhe diskriminimin e për rrjedhojë janë një nga komunitetet më të prekura përgjatë kësaj pandemie globale. Ballafaquar me stigmatizimin dhe mungesën e burimeve, ky komunitet neglizhohet në diskutimet mbi politikat që ndikojnë pikërisht ata, pavarësisht gjasave të mëdha që ata kanë të preken nga virusi.

Qëllimi i këtij artikulli është të japë një këndvështrim më të qartë të situatës dhe problemeve që po kalojnë migrantët e parregullt përgjatë periudhës së pandemisë së COVID-19. Konkretisht trajtohen specifikat e problemeve të këtyre personave, rrjedhojat e ndikimit të pandemisë dhe mbrojtja e kërkuesve të azilit në kuadër të kohës që po kalojmë. Në fund ne arrijmë të nxjerrim se rruga që duhet ndjekur nuk është ajo e mbylljes në qendra të mbipopulluara, por ajo e kontrollit mjekësor dhe sistemimit në zona ku procedurat ligjore të kryhen në mënyrë më të përshtatshme.

Çfarë po ndodh me migrantët apo konkretisht njerëzit e padokumentuar?

Njerëzit e padokumentuar kanë qenë dhe vazhdojnë te jenë një ndër grupet e margjinalizuara pothuajse në çdo vend. Një studim i fundit i kryer nga PICUM (Platform for International Cooperation on Undocumented Migrants) na tregon se shqetësimi më i madh në 80% të individëve të analizuar ishte humbja e të ardhurave si pasojë e ndërprerjes së punës dhe pamundësia e tyre për të marrë mbeshtetje shtetërore, përfshirë dhe pagesën e papunësisë. Një shqetësim tjetër kryesor i 50% të individëve është pamundësia e respektimit të distancës sociale për shkak se shumica e tyre jetojnë në ambiente tepër të populluara dhe të pasigurta si qendra ndalimi apo kampe. Duhet të kemi parasysh se kjo dukuri nuk ndikon vetëm komunitetin e këtyre personave, por gjithashtu dhe çdo person që në një formë apo në një tjetër mund të ketë kontakt me ta.

Rrjedhojat e ndikimit të COVID-19 tek migrantët e parregullt?

Kufizimet si pasojë e COVID-19 nuk kanë ndaluar migrimin e parregullt. Madje këto kufizime kanë sjellë një rritje të numrit të rasteve ku njerëzit kalohen kontrabandë nga një shtet në tjetrin. 

Gjithashtu një pjesë e migrantëve vuajnë nga probleme shëndetësore. Sigurimet shëndetësore të papërshtatshme dhe të ardhurat e pakta ndikojnë në mënyrën se si ata nuk arrijnë dot të marrin trajtim mjekësor në rast kontaminimi. Me mbylljen e shumë shërbimeve të kujdesit dhe mbrojtjes të ofruara nga organizata të shoqërisë civile për shkak të pandemisë, tashmë migrantët e parregullt e kanë tepër të vështirë aksesin në një shërbim shëndetësor.

Mungesa e informacionit, keqinformimi dhe politizimi i problemeve duket se janë më të përhapura në këto kohë ku te njerëzit mbizotëron pasiguria dhe ankthi.  Për më tepër stigmatizimi dhe përjashtimi i migrantëve sjell një risk më të lartë të kontaminimit duke qenë se ata mundohen të fshehin simptomat në vend që të kërkojnë një trajtim profesional

Mbrojtja e kërkuesve të azilit në kuadër të pandemisë së shkaktuar nga COVID-19

Sipas akteve kryesore ndërkombëtare (Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut) shtetet mund të marrin masa për të kufizuar të drejtat e tyre me qëllim mbrojtjen e një interesi publik të popullsisë së përgjithshme, konkretisht neni 4, pika 1 dhe 2 e Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Neni 15 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut

Për sa më sipër, Shtetet Palë të këtij Pakti mund të ndërmarrin masa për të garantuar shëndetin e popullsisë, parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, por këto masa nuk duhet të cënojnë disa liri që vetë këto akte i kanë ngritur në një nivel kaq të lartë, sa nuk mund të derogohen as në gjendje të jashtëzakonshme, sikurse është e drejta e jetës dhe ajo e ndalimit të torturës dhe trajtimit çnjerëzor dhe degradues. 

Këto parashikime janë mjaft të rëndësishme kur bëhet fjalë për të drejtat e azilantëve. 

Pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, shumica e Shteteve Anëtare të BE vendosën kufizime për shtetasit e vendeve të treta që kalojnë kufirin e jashtëm të BE. Në disa raste, Shtetet Anëtare të BE ndaluan hyrjen në kërkuesit e azilit (Greqi, Hungari), u sprapsën anije me azilkërkuesit në bord (Qipro, Greqi) ose i shpallën portet e tyre “të pasigurta” (Italia dhe Maltë) që nënkuptonte mbylljen e kufijve edhe për zbarkimin e njerëzve të shpëtuar në det. 

E drejta për të kërkuar dhe për të t’u dhënë azil është e garantuar sipas të drejtave ndërkombëtare të njeriut. Parimi i mos-kthimit ndalon shtetet të transferojnë – në cilindo vend ku jeta ose liria e tij do të kërcënohej për shkak të racës, fesë, kombësisë, anëtarësimit në një grup të caktuar shoqëror ose mendimit politik ose nëse ata përndryshe do të përballeshin me një rrezik real të një dëmtimi serioz. 

Disa parime të tjera themelore të së drejtës ndërkombëtare i dedikohen specifikisht kërkesës për azil. Ato përfshijnë më së shumti:

  1. Parimi i mos-kthimit, kur ekziston rreziku real i torturës, apo trajtimit çnjerëzor ose degradues;
  2. Ndalimi i dëbimit kolektiv dhe e drejta për një vlerësim individual të rastit;
  3. Parimi i mosdiskriminimit;
  4. Ndalimi i racizmit dhe nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore ose fetare.

 

Në përfundim, duhet theksuar se ndonëse shtetet kanë të drejtën dhe detyrimin e tyre për të mbrojtur popullatën brenda territorit të tyre nga rreziqet e pandemisë, nuk mund ta bëjnë këtë gjë duke përjashtuar qenië të tjera njerëzore nga të drejtat e tyre bazike. Ky është një moment që kërkon solidaritet nga të gjithë. Migrimi i paligjshëm është një fenonem i cili nuk do të ndalojë për sa kohë ka gjendje lufte dhe rreziku kudo në botë.

Rruga që duhet ndjekur nuk është ajo e mbylljes në qendra të mbipopulluara apo lënia në ambiente të tjera ku mund të bëhen rrezik për përhapjen më të shpejtë të infeksionit për shkak të kontaktit me punonjës kryesisht të forcave të rendit që i mbajnë të ndaluar por kontrolli mjekësor i shpejtë dhe sistemimi në zona ku ata të jenë të mund të presin të qetë procedurat ligjore për konfirmimin ose jo të statusit të azilantit.