Rrjetet sociale janë veshur portokalli. Jemi në 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore dhe s’ka mbetur kush, i madh a i vogël pa shpërndarë kund ndonjë postim që i thotë stop dhunës ndaj grave. Asgjë e re në frontin e perëndimit! Të mllefosur nga kjo potere e portokalltë, as cinikët e mediave sociale nuk kanë harruar të akuzojnë për hipokrizi shoqërore dhe të përcjellin me atë brutalitetin që i karakterizon ca të vërteta të hidhura. Edhe këtu asgjë e re në frontin e perëndimit! Dhe kudo e në çdo kohë nuk mungojnë kurrësesi sehirxhinjtë që ndjekin me indiferentizëm hedhje-pritjet e zakonshme. As edhe këtu kurrfarë ndryshimi!

Sidoqoftë këtu nuk jemi për të mbajtur anë. Nuk jemi për të kritikuar as aktivin, as cinikun dhe as indiferentin. Çdo kapje e kësaj natyre do të ishte një humbje kohe dhe fyerje për rëndësinë që ka zhdukja e dhunës ndaj grave për shoqërinë.  Le të jenë 16 ditët e aktivizmit 16 ditë ku ngremë zërin dhe bashkarisht i hapim rrugën krijimit të një bote ku nuk ngrihet gishti ndaj asnjë gruaje, ku nuk ka sy të nxirë, trupa të shenjuar, gjymtyrë të dëmtuara e buqeta lulesh të stisura për mort. E për ta bërë këtë na duhet të flasim për një tjetër lloj dhune, dhunë nga ajo që me sy të lirë nuk duket, mirëpo që dëgjohet, përjetohet e përcillet përmes fjalës. Të flasim për dhunën verbale dhe të synojmë që të lëvrojmë një ligjërim portokalli; pa dhunë dhe pa urrejtje.

Kurdoherë flasim për dhunën ndaj grave e kemi shumë më të thjeshtë të vizualizojmë imazhin e një burri që godet një grua, mirëpo pak na shkon mendja tek sulmet gjuhësore që përdoren çdo ditë ndaj grave e vajzave, kjo për shkak të stereotipeve të rrënjosura në kohë dhe kulturë, të cilat e normalizojnë gjuhën denigruese duke e bërë këtë të fundit të shfaqet lirisht dhe haptaz në ligjërimin bisedor e mediatik. Ky fenomen shfaqet sidomos në raportet studimore që janë bërë deri më tani për gjuhën e urrejtjes. Në një raport monitorimi të publikuar në 2019  për përdorimin e gjuhës së urrejtjes në Shqipëri  në median online, kategoria më e prekur nga gjuha e urrejtjes, si forma më e ashpër e dhunës verbale, ishin gratë, me një peshë prej 35%. Raporti gjithashtu nxirrte në pah se gjuha e urrjetjes karshi grave  pëqendrohej tek gjinia femërore si grup shoqëror si dhe akuzat kryesore lidheshin me mungesën e ndershmërisë. Grupmosha femërore më e prekur nga kjo gjuhë urrejtjeje ishte 19-25 vjeç. Ngjashëm me raporte të tjera të pulikuara më parë, kishte një korrelacion të drejtë mes përdorimit të gjuhës denigruese nga gazetarët dhe mesazheve me gjuhë urrejtjeje nga komentuesit. Filtrimi i komenteve me gjuhë urrejtjeje vijon të jetë një problematikë shumë shqetësuese.

Dhuna  verbale dhe dhuna fizike janë prodhuese dhe nxitëse të njëra tjetrës. Një shoqëri me dhunë verbale të theksuar kah një gjinie a grupi shoqëror, ka më shumë gjasa të ketë shfaqje të dhunës fizike ndaj grupeve të targetuara. Anasjelltas; ku ushtrohet dhunë fizike në masë ndaj grave, ka forma të dhunshme komunikimi që e dëshmojnë dhe e riprodhojnë në vazhdimësi agresionin ndaj tyre.  E në një situate të tillë ku dhuna ndjell veç dhunë, shoqërisë i mbetet detyra ta luftojë atë në çdo lloj forme. Në këto 16 ditë të aktivizmit le të hedhim ndoshta hapin e parë drejt një diskursi të pastër publik, një diskursi pa dhunë, shtypje, denigrim. Një diskursi të shëndetshëm e të portokalltë.