Stereotipet. Nocione të forcuara dhe tepër kufizuese që të diktojnë si të sillesh dhe ta shprehësh veten. Ato janë dukuri e pashmangshme në shoqërinë e sotme dhe diçka me të cilën secili nga ne përballet. Fatkeqësisht, këto stereotipe të dëmshme nuk mungojnë dhe në shkolla, duke i kufizuar nxënësit në zhvillimin e tyre personal dhe profesional.
Gjuha është mjeti kryesor i përforcimit te stereotipeve, por njëkohësisht dhe i thyerjes së tyre. Ato i gjejmë të fshehura në gjuhën e përdorur në përditshmëri edhe në mënyrë të paqëllimshme. Shpesh dëgjojmë fjalë si: “Duhet një djalë i fortë për ta kryer këtë punë” ose “Je vajzë, duhet ta kesh mendjen te mësimet…”, si dhe ofendime të tipit “Sillesh si vajzë” drejtuar një djali. A nuk pritet që vajzat të jenë më të urta, të ndjeshme dhe më emocionale, ndërsa djemtë më të zhurmshëm, të pakujdesshëm në disa raste dhe më agresivë?
Këto stereotipe i shoqërojnë fëmijët dhe në vendimet për profesionin e tyre në të ardhmen. Kjo sepse, të jesh grua do të thotë që mund të paguhesh më pak se një burrë për të njëjtën punë ose të kesh akses të limituar në disa punë të tjera. Të jesh djalë do të thotë të jesh i fortë, të mos tregosh emocione dhe mendohet që në të ardhmen të kesh një punë me të ardhura të larta për të suportuar familjen. Këto pritshmëri janë kufizuese dhe mbartin presion të madh për një fëmijë.
Stereotipa të tilla fillojnë të shfaqen që në hapin e parë të edukimit të fëmijëve: kopshti. Librat për fëmijë janë të mbushura me to. Në to burrat shfaqen si personazhe të fuqishëm, që kalojnë aventura të ndryshme, ku tregojnë forcën e tyre, ndërsa gratë shfaqen si figura të brishta me qëllimin e të gjeturit të dashurinë me një burrë. Nëse fëmijët nuk mësojnë për barazinë e neutralitetin gjinor që në moshë te vogël as në shtëpi, as në kopshte e shkolla, atëherë ku do ta mësojnë? Ato njohuri që iu transmetohen fëmijëve duhet të jenë në përputhje me kohët e sotme dhe jo një përfaqësim i një mentaliteti të vjetër.
Ajo çfarë duhet të synohet është krijimi i një ambienti të sigurt për fëmijët ku ata ndihen të lirë të shprehin veten e tyre pa u gjykuar në bazë të gjinisë së tyre, pamjes së jashtme dhe pasioneve që kanë. Një hapësirë e sigurt, ku zhvillimi i tyre është autentik dhe jo i bazuar në stereotipa të dëmshme e cunguese do të çojë në një shmangien e diskriminimit gjinor.
Punoi: Anja Tahirllari