Martesa e fëmijëve apo ndryshe martesa zyrtare ose bashkimi jo-zyrtar i çdo personi nën moshën 18 vjeç, është një ndër plagët ende të hapura në Shqipëri, megjithatë duket  se është harruar. Ky lloj akti është një shkelje e të drejtave të njeriut, të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve që bie ndesh drejtpërdrejt me legjislacionin shqiptar.

Martesa e fëmijëve i vendos bashkëshortët fëmijë dhe në veçanti, vajzat e martuara, në rrezik ndaj dhunës në familje, abuzimit seksual, përdhunimit dhe mohimit të qasjes në arsim. Të dhënat zyrtare të vitit 2017 tregojnë se 16.9% ishin martesa nën moshë, shifër në të cilën përfshihen vetëm martesat e rregullta të regjistruara, pa përfshirë martesat e pa regjistruara, fenomen që nuk i dihet shkalla e vërtetë e përhapjes. Duhet përmendur se  norma e martesës së fëmijëve janë shumë të larta në komunitetet Rome, por për to nuk ka të dhëna të sakta statistikore.

Nëse do i referohemi kuadrit ligjor, e drejta për t’u martuar dhe e drejta për të pasur familje është pjesë e të drejtave themelore të njeriut. Realizimi i kësaj të drejte ka kufizimet e veta ligjore. Një prej tyre është arritja e moshës madhore. Të gjitha rastet, përfshirë martesën nën moshë ose martesën pa pëlqimin e lirë, bëjnë që martesa të jetë e pavlefshme.

Efektet negative të martesës së hershme kanë tendencë të manifestohen në stadet e mëvonshme të zhvillimit jetësor, duke përfshirë çështjet që lidhen me shëndetin dhe mirëqenien psikologjike. Raste studimore evidentojnë se martesa e hershme pengon përparimin shkollor dhe profesional. Shumica e vajzave pre e martesave të hershme, kanë një nivel të ulët arsimor dhe nuk planifikojnë të kthehen në shkollë pas lindjes së fëmijës. Për më tepër, ato nuk e shohin veten e tyre duke zhvilluar një jetë profesionale jashtë familjes. Mungesa e arsimit dhe e mundësive ka një ndikim mjaft negativ tek gratë që duan të ri integrohen dhe pasojat e kësaj situate kanë ndikim të gjerë për të gjithë shoqërinë.

Përpos këtyre, rrethanat e përmendura dhe më parë janë djep i dhunës familjare, nënshtrimit dhe degradimit të një pale ndaj palës tjetër, duke kontribuar kështu në hendekun e barazisë gjinore, respektimin e të drejtave, por dhe vazhdimin e traditave toksike.

Për këtë fenomen duhen marrë masa të menjëhershme si nga institucionet, por dhe nga komuniteti.

Shteti Shqiptar duhet ta konsiderojë prioritet ndalimin e martesën e fëmijëve nëpërmjet masave politike në nivel qendror dhe lokal, duke përcaktuar ndërhyrjet, buxhetet e lidhura, si dhe rolet dhe përgjegjësitë e entiteteve të ndryshme publike. Gjithashtu shihet nevoja për të adresuar fenomenin e martesave të hershme në Planin e veprimit Kombëtar të Integrimit të Romëve dhe Egjiptianëve në Shqipëri 2015-2020, duke qenë se ky grup margjinal është ndër kontribuuesit më të mëdhenj të kësaj shkeljeje.

Sistemi i mbrojtjes së fëmijëve ka nevojë të reflektojë fenomenin e martesave të hershme duke evidentuar në mënyrë specifike se martesat e hershme janë të dënueshme në Legjislacionin Shqiptar.

Nuk janë vetëm institucionet të cilët duhet dhe e kanë për detyrë të marrin masa, por komuniteti duhet të jetë suportues e kësaj nisme, duke bashkëpunuar me autoritetet dhe ndryshimet që supozohet të ndodhin.

Ka nevojë për sensibilizim, edukim dhe ndryshimin e qëndrimeve dhe normave rreth martesës së fëmijëve kërkon përpjekje të qëndrueshme dhe të vazhdueshme në nivel komuniteti, duke angazhuar një sërë aktorësh, përfshirë mësuesit, punonjësit e shëndetësisë, punonjësit socialë, e të tjerë. Gjithashtu përpos parandalimit, është shumë e rëndësishme mbështetja për fëmijët e prekur nga martesa e fëmijëve, si dhe ri-integrimi i tyre në shoqëri, tashmë si të rinj të aftë.

Në konkluzion, martesat e hershme janë një fenomen zakonor, të cilat bien ndesh me të drejtat e njeriut dhe të fëmijëve, por dhe me legjislacionin shqiptar. Këto martesa promovojnë dhunën, pabarazinë, braktisjen e arsimit, si shfrytëzimin. Duhen ndërmarrë masa të menjëhershme si nga entitetet përgjegjëse, por dhe nga komuniteti, me qëllim parandalimin e këtij fenomeni dhe integrimin e viktimave në shoqëri.

Punoi: Enia Hoxha