Ese argumentuese: Një filozof ka thënë: “Karakteri yt është diçka që ti zgjedh vetë që ta krijosh”. A i ndërtojmë vetë cilësitë e karakterit apo ai formohet nga ndikime që s’mund t’i kontrollojmë dot? Po ju si mendoni?
Na pëlqejmë të mendojmë se karakteri është një vlerë që na përfaqëson denjësisht midis njerëzve, midis të tjerëve. Karakteri është krenari, mangësi, madje edhe dobësi. Shpesh dëgjojmë të thuhet se njerëzit vlerësohen në bazë të karakterit të tyre, se karakteri tregon realisht thelbin e një njeriu. A është karakteri në të vërtetë dhuratë, apo një tipar i mësuar?
Unë i përkas atij grupi, i cili mendon se karakteri është diçka e lindur, por që kurrsesi nuk mund të formësohet plotësisht pa ndikimet dhe influencat e nevojshme, të mira a të këqija qofshin. Ka njerëz që përpiqen ta shpjegojnë karakterin nëpërmjet universit, si një tipar që i përgjigjet llogaritjeve astronomike, të tjerë e shohin atë si një tipar që lidhet me trashëgiminë, ka dhe nga ato që preferojnë të mendojnë se karakteri është thjeshtësisht fat, por unë nuk mendoj kështu.
Më pëlqen të mendoj se karakteri është një tipar që njeriu e mbart me vete që nga fillimi, pjesërisht të fshehur, derisa vjen ai moment që ndikimet e jashtme janë aq të forta sa karakteri shpërfaqet i plotë. Jam gjithashtu i mendimit se karakteri injektohet, dhe sado klishe të tingëllojë ai mësohet në vegjëli. Në, si qenie unike shpërfaqim cilësi dhe virtyte të caktuara që na dallojnë dhe reagimi ynë kompleks kundrejt jetës është ai që na definon karakterin. Ndaj them se karakteri është diçka e brendshme, thuajse intime, që farkëtohet vetëm nën ndikimet mjaftueshëm të forta për të depërtuar tek ne.
Shpeshherë arti, muzika dhe letërsia na ndihmojnë të kuptojmë se si funksionon qenia njerëzore. Dua të përmend Eugjen de Rastinjakun, rioshin e famshëm balzakian, i cili sipas mendimit tim modest është shembulli më i mirë për të treguar se karakteri definohet nga reagimi ynë gjatë gjithë jetës dhe se ndikimet e një magnitude të fuqishme hanë bukë ne tjetërsimin e tij. Rastinjaku është simbol i të riut ambicioz, plot ëndrra, i etur për pozitë e dashuri, por altruist dhe i ndjeshëm në thelb. Gjatë gjithë romanit ne njihemi me përpjekjet dhe planet e tij për ta katapultuar veten në botën mondane parisienë.
Ai përballet me ndikimin e Votrenit, Delfinës, Anastasias dhe shumë personazheve të tjerë. Herë e gjejmë të neveritur nga sjellje dhe reagime të caktuara, herë të tjera e gjejmë në buzën e mohimit të vetvetes dhe vënies në dyshim të natyrës së karakterit të tij. Kaq të forta mund të jenë shkulmat e ndikimit të jashtëm. Kjo ndodh me shumë mundësi nga fakti se ai ende nuk kishte formuar një karakter të mirë identifikueshëm dhe Parisi sa po ia vështirësonte punën.
Aman, në fund të veprës, Rastinjaku i jep një premtim vetes se nuk do të lejonte kurrë që Parisi të ndryshonte qenësinë e tij.
Rastinjaku na tregon se karakteri është plotësisht personal, një shqisë e madhe e cila na jep dorë ose na pengon në realizimin e vetvetes. Karakteri është e mira dhe e keqja e njeriut. Gjithsesi karakteri ngelet një miks i të dhënës me të parën. Në vitet përcaktuese të formimit të tij, karakteri është një fëmijë që rrotullohet dhe thith si sfungjer shprehje, sjellje, idioma, qëndrime, mendime, koncepte, reagime, perceptime, shqisa dhe transformohet më pas në identitetin tonë. Ky është sipas mendimit tim, momenti kur brenda njeriut ndodh një shpërthim i vogël që të bën të kuptosh se në një farë mënyre të caktuar t’i ndihesh mirë me veten.
Ama, nuk duhet mohuar se e keqja e të gjithës qëndron në faktin se në vitet kur njeriu duhet të zgjedhë me kujdes ndikimet në formësimin e tij, ai është vetëm fëmijë dhe një fëmijë, sado i ndjeshëm të jetë trunisht ndaj ndjesive të para intuitave, ngelet fëmijë dhe një sfungjer i madh përthithës.
Ka në fakt edhe një shembull mjaft të bukur që tregon të kundërtën e besimit tim, se karakteri formësohet tërësisht nga ndikimet e jashtme që përjeton njeriu. Vendoseni një fëmijë brenda një dhome me një dritare dhe lëreni atë fëmijë të jetojë për njëzet vite, në periudha të gjatat kohore me njerëz të ndryshëm. Do të shikoni se pas një moshe të caktuar (6 ose 7), ai do të fillojë të reagojë ndaj sjelljeve të caktuara, pak më vonë (10-11) do të mohojë në mënyrë kategorike me forcë dhe p argument karakterin e tij dhe karakterin tuaj, pas disa vitesh (14-17) do të kërkojë dëshpërimisht një përgjigje se cili është, pse është si është, do të qahet për karakterin e vet dhe do të ndikohet pashmangshmërisht nga çdo mendim mbi të dhe do të përpiqet t’i shpëtoje esencës së vërtetë të vetvetes. Edhe pse në thelb ai e ka krijuar karakterin në vegjëli, një pjesë e karakterit të tij do të formohet në rininë e hershme dhe nën ndikimin e personave të ndryshëm për njëzet vite, karakteri i tij do të jetë i vështirë për tu definuar. 18-20 vjeç do të karakterizohet nga një siguri e rreme se di gjithçka i duhet për të filluar jetën, por vetëm kur të mbushë 30 vjeç do të fillojë të jetojë realisht më një karakter që i janë dashur 30 vjet për ta ndërtuar nën influencat e njerëzve të ndryshëm.
Ky shembull provon se njeriu krijon njeriun.
Si përfundim, karakteri është kompleks sa i thjeshtë, i përcaktueshëm sa intim, i pëlqyeshëm sa edhe relativ. Ai ngelet në vetvete edhe për personat që nuk e pranojnë, frika më e madhe e njeriut sepse sot karakteri lidhet me stigmën e zhargonit: “I tillë person, ha/nuk ha bukë sot!”
Karakteri është i falur, por ai është asgjë nëse ne nuk e ndërtojmë bazuar në njerëzit dhe ndikimin e tyre tek ne, ndikime që thjeshtësisht nuk mund të ndalohen.
Punoi: Kledi Mita