Nëpërmjet dokumentarëve të ndryshëm televizivë, jam njohur paksa me çfarë ka ndodhur në vitet ‘90-të. Kureshtja ime për tu thelluar më tej, ishte panorama… Një anije e mbushur, plot e për plot me njerëz, pothuajse gjysmë të zhveshur, të dobësuar, të çoroditur, me shpresë e të pa shpresë për jetën e tyre, por të gjithë duke ulëritur “LIRI, LIRI, DEMOKRACI”.

Disa ngjarje janë skalitur në Shqipërinë e të menduarit tim të kësaj periudhe:

Protestë në Kavajë kundër regjimit komunist, po ashtu në Shkodër, ku u vranë djem të rinj, në Tiranë, punëtorët e Valiasit, u ngritën për të kërkuar të drejtat e tyre, e pothuajse u krijua një rrymë e re lëvizëse
për demokraci, kjo edhe si rrjedhojë e zhvillimeve që edhe shtete të tjera europiane të Lindjes komuniste, pak më herët u përfshinë në këtë ndryshim nga shembja e murit të Berlinit deri në Bukureshtin
revolucionar. Imazhi im vazhdon me turma njerëzish duke kapërcyer përtej hekurave të Ambasadave dhe nënat vajtuese të një brezi i cili nuk e ka njohur lirinë, të cilat drithëronin në pakuptimin e tyre duke
kujtuar popullin që jetonte në shpellën e Republikës së Platonit si faqja e parë e një reviste plot ngjyra përtej telave me gjemba. Çudi! Vetëm dy centimetra ndanin lirinë në të njëjtën hapësire tokësore dhe
kohore.

Këto lëvizje mbarë popullore të emocionojnë, sepse i dhanë ngjyrat fjalës Demokraci e çngjyrosur në gjysmëshekullin komunist si afresket e Shën Prodhromit të Voskopojës.

Erdhi koha që edhe Shqipëria e pa njohur për shumicën e popullsisë europiano-perëndimore të fillojë të rendë drejt ëndrrës së munguar, Perëndimit. Shqipëria si vendi më i izoluar i Europës do të vuante pasojat  e mungesës së kulturës demokratike.

Së pari, mungesa e përvojës në të qeverisurit duke lejuar demokraci të brishtë deri sot.

Së dyti, izolimi la pasoja të rënda në etikën e një populli, i cili për herë të parë vuri re se sa të vështirë e kishte të gjente identitetin e tij në hapësirën europiane.

Por le të analizojmë disa aspekte pyetëse?

– Në cilin nivel të kulturës zgjedhore politike jemi?

Askund!

Deri më sot të gjitha proceset janë kontestuar dhe vazhdojnë e ndoshta do të vazhdojnë. Dhe për të ardhme shtrohet pyetja:

Kur do të kemi pranim të zgjedhjeve nga pala humbëse? Kur do të kemi rastin të shohim një rezultat disa orë pas mbylljes së procesit? Përse vetëm në Shqipërinë europiane zgjat ky proces kaq gjatë? Cili është
fajtor në 30 vjet. A është ky proces në funksion të stabilizimit të demokracisë?

– Cila është cilësia e jetës ekonomike?

Shqiptarët janë ndër njerëzit më pak të paguar në Europë. Në mos të fundit jemi të parafundit për jetën ekonomike. Dhe kaq mjafton për të mos pyetur se kur dhe pse jemi më të varfrit e Europës edhe pse 30-të
vjet do të mjaftonin të ndalohej migrimi i popullsisë me ritme të larta. Ky realitet shfaqet ndryshe në shtetet ish motra të shoqërisë komuniste gjysmë shekullore para tridhjetë vitesh, të cilat shijojnë
përmirësimin ekonomik dhe cilësinë e jetës.

Përse shteti pushoi së jetuar në vitin 1997-të?

A ishte përgjegjësi e shtetarëve të mbronin kursimet e popullsisë të cilat brenda një periudhe të shkurtër u zhdukën në piramidën e zezë të papërgjegjshmërisë? Cili shtet demokratik gjatë historikut të tij ka
mashtruar ekonomikisht dhe më pas tragjikisht pa mbrojtje institucionale popullin e tij? Prandaj demokracia ishte një lule pranvere në javën e ngrohtë të muajit shkurt.

Por në cilësi shqiptarët ishin të parët. Askush në Europën demokratike nuk mund të krahasohet me shpëtimin e qindra mijërave refugjatëve të luftës së Kosovës. Shpëtimin nga uria, të cilën vetëm një popull mund ta bëjë, ashtu si mbrojtën hebrenjtë dhe strehuan ushtarët italianë pas kapitullimit të fashizmit. Cilësi, të cilat Europa demokratike i pa dhe filloi rivlerësimin moral të këtij populli të mirë dhe të etur për gjithçka europiane, përveç edukimit të klasës drejtuese politike e cila ende nuk është reformuar.

Por unë mund të ankohem si një 17 vjeçar i cili çdo ditë jeton me vështirësitë e familjes së thjeshtë shqiptare e cila ka frikë për zgjedhjet politike të radhës, për sigurinë ekonomike, për sigurinë shëndetësore nëse munden ta përballojnë financiarisht, për cilësinë e edukimit universitar etj.. etj…

Por unë sot mundem të nxjerr një përfundim edhe pse ende jo në moshën e një votuesi me të drejta politike duke ëndërruar të drejtat politike të qytetarit athinas të Epokës së Perikliut. Dhe përfundimi është:

Demokraci nuk ka. Ndoshta nuk na duhet më… Ku është demokracia? A është e vërtetë apo një relike e kristaltë të cilën ke frikë të prekësh se mos të ndotet apo thyhet?

30 vjet me apo pa demokraci???

Nuk e di.

Ku? Këtu!!? Tek ne? Ku tjetër? Nuk ka ! Ka vetëm karantinim të mendjes, izolim mediatik, maska karnavalesh. Mos u tako të flasësh për padrejtësitë! Mos u grupo të mbrosh idealet! Mos! Mos! Mos!

Më duket sikur tërë bota na ka izoluar dhe unë kërkoj demokracinë e kristaltë atje në vitrinën e qelqurinave dhe në vesh duket sikur tingëllojnë fjalët e nenës:

– Mos e prek bir se e bën pis dhe të thyhet!

Punoi: Klevi Hyka