Nëse e ardhmja e Shqipërisë është një letër e pashkruar e hedhur shuk përdhe, atëherë jemi ne brezi i ri, menaxhuesit e hapësirave të mbetura e njëkohësisht pena që do ta shkruajë. Vendimtare është dora që do ta ngrejë nga toka duke i shtuar peshën me veprat dhe zhvillimet që synojnë të sjellë.

Por fatkeqësisht, ndonëse vendi ynë është një livadh i shtruar me kanavaca të bardha në pritje për t’u shkruar e pikturuar, shenja të vetme të veprimtarisë sonë janë gjurmët e arratisjes drejt vendeve të tjera. Një ndër studimet e fundit demografike, realizuar nga profesorët Ilir Gëlldeshi dhe Russell King, tregon se 79% e studentëve dhe 59% e maturantëve planifikojnë të vazhdojnë shkollimin jashtë, nga të cilët 95% nuk konsiderojnë një rikthim të mundshëm në vendin e lindjes.

Këto statistika alarmante kanë rritur shqetësimin e studiuesve që shtrojnë problemin e rritjes së numrave marramendëse të shqiptarëve që largohen nga vendi i tyre, shpesh në mënyrë jo ligjore. Bazuar në shifrat e fundit te nxjerra nga parlamenti anglez për hyrjen e klandestinëve, Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, trajtoi çështjen e shqiptarëve që futen në territorin britanik në rrugë ujore, duke përdorur një gjuhë që solli debate të shumta në median shqiptare. “1200 e shqiptarëve janë sipërmarrës dhe paguajnë taksa.

Mbretëria e Bashkuar duhet të luftojë bandat kriminale të të gjitha kombësive dhe të ndalë diskriminimin ndaj shqiptarëve, për të justifikuar politikat e dështuara”,- shkruan kryeministri Rama për Twitter duke shtuar se Shqipëria është anëtare e NATO-s që prej vitit 2009, ka hapur negociatat për anëtarësimin në BE si dhe është ‘një vend i sigurt origjine’.

Një koment tjetër është bërë nga Princi i Kurorës Lekë Zogu II që i cilëson fjalët e përzgjedhura nga znj. Braveman ‘ksenofobike’ duke akuzuar atë për targetimin e një grupi të caktuar për të fshehur defektet e politikës së brendshme. Nga ana tjetër opozita përdor këtë rast për të ngritur ankesat e veta për atë që e quan “një qeveri të papërgjegjshme që ndërmerr politika të paarrira në krijimin e mundësive të punësimit dhe të qëndrimit për të rinjtë shqiptarë”. Por teksa gjithë ç ‘ofron politika në trajtimin e këtyre problemeve mbeten fjalë të marra e fshira nga era, zgjidhja e vetme është bashkëveprimi jo vetëm i pozitës dhe opozitës shqiptare por edhe bashkëpunimi diplomatik i dy vendeve. Ajo që mbetet të bëjmë ne është të luftojmë për të drejtën e një arsimi cilësor dhe krijimin e vendeve dinjitoze të punës për personat e kualifikuar.

Askush nuk mund ta kufizojë lirinë tonë të jetesës në çdo vend të botës, por ajo që mund të mundësojë qeveria shqiptare përveç ushtrimit të presionit për të qëndruar, është nxitja e pjesëmarrjes rinore dhe stimulimi me dhënien e përgjegjësive në mënyrë që të ndihmojmë komunitetin duke u lidhur më shumë me rrënjët tona.

Marrja e përgjegjësive do na dhurojë kënaqësinë e të qenit të dëgjuar dhe të vlerësuar duke e lënë zërin të buçasë nga shpirti ynë tipik i lirë. Ndryshimi vjen kur atë e kërkojmë së pari te vetja. Me perspektivat e ndryshme rinore dhe nismat domethënëse, unë zgjedh të besoj se Shqipëria do të bëhet vendi i ëndrrave jo vetëm yni, por edhe i brezave të tjera që nuk kanë pasur privilegjin të shijojnë potencialin e plotë të saj.

Rini, le t ‘ëndërrojmë tani, se koha energjinë e pashterur e dëshirat tona optimiste i pasuron me qëllime dashakeqe e egoiste. Ah moj Shqypni… më fal që refuzoj krahët e tua prej nëne kur më tundon kureshtja faustiane për të panjohurën. Ke qenë më e mira, më e mirë do bëhesh, besën!

Punoi: Sara Hasa