Ky shkrim është përgatitur në kuadër të programit Ponder Albania me fokus mendimin kritik në media, udhëhequr nga UNICEF Albania dhe implementuar nga ICTSlab.

 

Selina Como / Ponder Albania

 

Tranzicioni paraqitet të jetë një proces i vështirë dhe këtë duket se e dëshmon edhe vendi ynë. Pas një periudhe prej plot tre dekadash, duket se historia e Shqipërisë vazhdon të rrjedhë në drejtime të reja, por ende mban mbi të gjurmë të pandashme të së shkuarës. Një prej këtyre aspekteve që mban të lidhur ngushtë të shkuarën me të tashmen, është drejtësia dhe se si po trajtohet çdo individ në shoqërinë e sotme, bazuar në të gjitha të drejtat dhe liritë që ata gëzojnë, apo duhet të gëzonin… Ku qëndrojmë sot përballë historisë sonë së shkuar dhe fakteve që ajo na ka trashëguar deri në ditët e sotme?

Drejtësia është një temë fort e gjerë, por ajo të cilës pak vëmendje i është kushtuar së fundmi, është drejtësia tranzitore. Drejtësia tranzitore duket të jetë një temë e ndeshur jo shpesh në realitetin e sotëm, pasi është historia e drejtpërdrejtë e një pjese të caktuar të shoqërisë dhe jo të gjithë duket se e kuptojnë vlerën që ajo mbart ndër vite. Për sa kohë, kjo është diçka e cila nuk i prek të gjithë në mënyrë të drejtpërdrejtë, ajo vazhdon të qëndrojë aty, prezente dhe e jetueshme, por e pa trajtuar…

Edhe pse historia e para afro tetëdhjetë viteve , në ditët e sotme mund të ngjallë mall për individë të caktuar të shoqërisë, pasi si çdo fenomen i shoqërisë, është shoqëruar me të mirat dhe të këqijat e saj, shumë pak persona trajtojnë, apo të paktën kujtojnë pasojat afatgjata të saj, të cilat kanë gjurmë të pasqyruara edhe në realitetin e sotshëm.

Organizata me përfshirjen e numrit më të madh të shteteve në botë e cila u krijua së pari, për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në një nivel global, ka dhënë një përkufizim për drejtësinë tranzitore, duke e përkufizuar kështu: “Drejtësia tranzitore është ri sjellja për trajtim e një numri masiv rastesh të shkeljeve të të drejtave të njeriut, e cila po sjell mundësi për transformimin e një sistemi politik apo konflikteve të cilat mund të kenë qenë rrënjët e këtyre abuzimeve. [1]

Thënë këtë, për të pasur një imazh më konkret të asaj çka ka ndodhur në vendin tonë, mjafton të kthehemi pak prapa në kohë , ku individët dënoheshin thjesht sepse mendonin ndryshe, ende pa e shprehur një ide në botën e jashtme.

 

Nëse kërkojmë në fakte apo statistika, të cilat për hir të së vërtetës, nuk janë të shumta, sipas Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, në periudhën 1944-1991, mbi 6000 persona u ekzekutuan në me apo pa urdhër gjykate (kryesisht me pushkatim apo varje) dhe trupat e tyre nuk iu kthyen pothuajse asnjëherë familjeve të tyre për varrim, pasi ato ishin “pronë e shtetit.” Po sipas këtij burimi, 5577 burra dhe 470 gra u dënuan me vdekje ose u vranë. [2]

Gjatë këtyre viteve, parlamenti ynë ka miratuar disa ligje të cilët lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë më situatat e personave të dënuar politikë të regjimit komunist, apo edhe të pasardhësve të tyre. Së pari, në vitin 2007, është miratuar ligji “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist.” [3] Ky ligj ka në fokus të tij, dëmshpërblimin financiar të familjarëve të viktimave të dënuar padrejtësisht nga regjimi komunist.

Ajo ç’ka ka ngjallur më tepër diskutim në realitetin tonë, ka qenë ligji i vitit 2015, ku dhe filloi reformimi i sistemit të drejtësisë, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. “ [4] Në thelb të objektit të këtij ligji ka qenë edhe një prej të drejtave themelore të individëve, ajo e informimit. Duke cituar: “Ushtrimi i të drejtës nga çdo i interesuar për informim mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit nëpërmjet një procesi demokratik dhe transparent, mbrojtës të personalitetit të individit si dhe unitetit kombëtar. “

Duket se nga institucionet ligjvënëse të vendit, ka pasur reagim, por a ka qenë kjo mjaftueshëm dhe a po trajtohet çdo gjë praktikisht, ashtu sikurse është parashikuar edhe formalisht në ligjet e miratuara? Gjatë viteve institucionet publike dhe të afërmit e të zhdukurve kanë gjetur rreth 100 kufoma njerëzish, në disa raste të pa identifikueshme. Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarë dhe dokumente, në Shqipëri janë identifikuar deri më tani 29 vende (hot-spot) ku dyshohet se ndodhen trupa të tjerë të burgosurve politikë, të vrarë në periudhën e regjimit komunist. Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP) dhe autoritetet shqiptare janë angazhuar publikisht për të nisur një fushatë identifikimi dhe kërkimi të të zhdukurve duke ndërmarrë hetime serioze në mënyrë që të paraqesin të dhëna të besueshme mbi ekzistencën e këtyre vendeve. Miratimi i Ligjit për hapjen e dosjeve të regjimit komunist mund të shërbejë si një mjet i dobishëm për të ecur përpara me këtë proces. [5]

Përgjatë këtyre pesë viteve të fundit, drejtësia dhe reformimi i sistemit të drejtësisë ka qenë në fokus të zhvillimit të vazhdueshëm, në mënyrë që kjo të sjellë akses dhe mundësi të njëjta për të gjithë individët. Mbështetur në këto aspirata të vendit tonë, sa funksionale janë ligjet të cilat sigurojnë drejtësi për viktimat e regjimit komunist? A mjafton vetëm dëmshpërblimi financiar apo mos ndoshta duhet të bëhet diçka më tepër për të plotësuar moralisht këta individë për t’i njohur ata më tepër me fakte të reja historike dhe të dhëna për njerëzit e tyre të dashur?

Në ditët që flasim, duket se për historitë e personave viktima të sistemit komunist, nuk ka një zgjidhje konkrete dhe faktet janë zhdukur bashkë edhe me jetët e humbura. Nëse vërtet duam të jemi pjesë e një familjeje të madhe evropiane, a mos duhet të vëmë në jetë drejtësinë faktike në mënyrë që masat e marra të jenë të prekshme? Historia e para tetëdhjetë viteve është një gur themeltar në zhvillimin e ngjarjeve të sotme dhe të gjithë e dimë që historia nuk mund të fshihet. Në këtë mënyrë, është e vështirë të ecim përpara pa shëruar të gjitha plagët që ka lënë e shkuara e një vendi të vogël si ky yni…

[1]https://www.un.org/peacebuilding/sites/www.un.org.peacebuilding/files/documents/26_02_2008_background_note.pdf

[2] http://bunkart.al/2/ekspozita_historike/policia-dhe-sigurimi-ne-kohen-e-diktatures-/te-denuarit-me-vdekje-dhe-te-zhdukurit

[3]https://financa.gov.al/wpcontent/uploads/2018/01/Ligji_per_demshperblimin_e_ish_te_denuarve_politike_i_azhurnuar1.pdf

[4] https://www.parlament.al/Files/Akte/ligj_nr_45_dt_30_4_2015_22654_1.pdf

[5] http://bunkart.al/2/ekspozita_historike/policia-dhe-sigurimi-ne-kohen-e-diktatures-/te-denuarit-me-vdekje-dhe-te-zhdukurit ( po këtu )