Situata e fëmijëve romë dhe egjiptianë në vendin tonë është shumë shqetësuese. Sikur të mos mjaftohen me problemet që ata kanë, tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar dhe pandemia e SARS COVID-19 ua ka bërë më të vështirë jetën e përditshme.
Shumica e familjeve jetojnë në zona periferike. Rreth 39% e tyre u mungon uji i pijshëm.Ndërsa kanalizimi i ujërave të zeza mbetet ende një problem i pazgjidhur. Infrastruktura lë shumë për të dëshiruar. Këto komunitete hasin shumë vështirësi në integrimin social të shoqërisë,të cilat vijnë si pasojë e neglizhencës së qeverisë,por dhe nivelit arsimor e qasjes kulturore që ata kanë.
Sipas një studimi të vitit 2011 në vendin tonë jetojnë 8300 romë dhe 3368 egjiptianë. Statistika këto që nuk duhen marrë në konsideratë për arsye se shumë prej familjeve nuk janë rezident të përhershëm në një qendër banimi si dhe as ata vetë nuk janë interesuar për t’u rregjistruar në zyrat përkatëse të autoriteteve vendore. Duke mos pasur dokumentacionin e duhur ata janë mënjanuar nga një sërë shërbimesh qofshin juridike,pronësie apo civile.
Mungesa e regjistrimit në zyrat e gjendjes civile ka bërë që shumë fëmijë ta kenë të vështirë të fillojnë shkollën. Ata mesatarisht arrijnë deri 5-6 vite shkollim kur mesatarja e gjithë vendit është deri ne 10 vite. Shifrat që arrijmë të mësojmë se 40.3% e romëve dhe 12.7% e egjiptianëve janë analfabetë tregojnë për nivelin e ulët arsimor të fëmijëve të cilët pasojat i vuajnë vite më vonë duke mos u integruar në tregun e punës.
Sipas të dhënave që zotëron Fondacioni Shoqëria e Hapur në Shqipëri bashkitë më të prekura nga arsimi i detyrueshëm i fëmijëve romë dhe egjiptianë janë: Tirana, Korca,Elbasani,Durrësi,Fieri dhe Berati.
Ndërsa sipas UNICEF 33.9% e popullsisë rome është nën 14 vjec që do të thotë se kjo moshë e ka të detyrueshëm arsimimin dhe edukimin shkollor. Shifrat na tregojnë se 42% e fëmijëve vazhdojnë arsimin parashkollor. Një përqindje tepër e vogël mbarojnë studimet pasuniversitare. Pse ndodh kjo? Në shoqërinë tonë ata e kanë tepër të vështirë që të përshtaten për shumë arsye. E para, mentaliteti i tyre për të krijuar familje pa mbushur moshën madhore. E dyta, kushtet ekonomike dhe financiare. E treta, mbështetja e pakët e qeverisë dhe pushtetit,diskriminimi i rracës e ngjyrës,bullizmi e shumë faktorë të tjerë.
Duke mos e vlerësuar jetën dhe duke parë me skepticizëm të ardhmen një pjesë e tyre kërkojnë të shijojnë vetëm të tashmen dhe momentin. Mosarsimimi i duhur i tyre e ka të pamundur të ecë në tregun e punës për të mos folur për poste drejtuese dhe të punojnë në administratën shtetërore apo kompani private.
Shpeshherë shoqatat e tyre e kanë ngritur si shqetësim shumë të madh këtë problem. Mbi 93 mësues romë dhe egjiptianë janë shumë pak për t’u bërë shembull për ta.
Duke mos pasur akses në jetën sociale dhe duke mos pasur formimin e duhur shumë prej fëmijëve romë bien viktimë e trafikimit dhe shfrytëzimit seksual. Këta fëmijë të detyruar nga familja i sheh duke lypur e kërkuar lëmoshë nëpër trotuare,semaforë apo edhe pranë objekteve të kultit. Në shumë raste ata kanë tutorët e tyre. Rrihen e keqtrajtohen nëse ata nuk arrijnë të realizojnë një kuotë ditore, madje i gjen edhe duke fjetur nëpër lulishte,stola dhe më e keqja i gjen dhe në tregtimin e lëndëve narkotike. Ky abuzim i kalon kufijtë kombëtar. Tutorët e tyre shpenzojnë shuma të mëdha për t’i trafikuar në vendet e
BE-së për të lypur dhe për prostitucion.
Ka ndodhur që në ekranet televizive nëpërmjet emisioneve investigative të shohim prindër që i kanë trajtuar fëmijët e tyre si një mall tregu. Duket e pabesueshme, por është e dhimbshme kur një nënë bën pazar për shitjen e fëmijës së saj (sipas emisionit Fiks Fare).
Organizatat jo qeveritare apo dhe ato humanitare,INSTAT apo edhe qeveria nuk na japin të dhëna se sa fëmijë romë dhe egjiptianë ndodhen në kampet e Siri-së.
Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr.1072 Dt.23.12.2015 për integrimin e romëve dhe egjiptianëve në jetën social-ekonomike të vendit mbështetur në një program që do të vazhdonte nga viti 2016 deri në 2020 gjeti mbështetjen e shoqatave përkatëse,shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare.Kur jemi në fund të këtij programi vërejmë se gjërat kanë ndryshuar shumë pak dhe problemet kanë mbetur ende pa zgjidhur.