Informatika është një fushë, e cila po rritet e po zhvillohet me ritme shumë të shpejta në të gjithë botën. Ajo është një prej degëve më të kërkuara të momentit, duke qenë se konsiderohet edhe si dega e së ardhmes. Edhe Shqipëria, sado një vend i vogël e jo aq i zhvilluar sa vendet e Evropës Perëndimore, ka arritur ta çojë këtë fushë në nivele shumë të larta dhe të ofrojë mundësi shumë të mira për të gjithë ata, të cilët e kanë mbaruar universitetin, por edhe për ata të cilët janë ende në një moshë fare të vogël.

Si fillim, një ndër iniciativat e ndërmarra nga qeveria në lidhje më këtë fushë, është Programi i Kodimit. Ky program është implementuar që në klasën e parë në 100 shkolla fillore, në të cilat janë ngritur edhe laboratorë inteligjente me teknologji të përparuar. Në një botë të ndryshme dhe gjithnjë e më të ndërlikuar teknologjikisht, njohja e kodimit dhe aftësive teknologjike, është një avantazh i madh për të ardhmen. Duke filluar që në klasën e parë, nxënësit kanë mundësinë të zhvillojnë njohuri të nevojshme në këtë fushë.

Së dyti, qendra me e madhe e teknologjisë në Ballkan, Piramida e Tiranës, pritet të hapet së shpejti e rinovuar dhe mikpritëse për të gjithë të rinjtë dhe kompanitë novatore e teknologjike. Me një pamje të re dhe ambiente të përshtatshme, Piramida e Tiranës do të jetë vërtete qendra me e madhe e inovacionit dhe e teknologjisë në Ballkan. Për rrjedhojë, kompani të huaja pritet të vijnë e të hapin zyrat e tyre në ambientet e kësaj ndërtese e rrjedhimisht, mundësi të reja pune do të ketë për çdo person të aftë në programim e network.

Nga ana tjetër, sulmi Iranian ishte i papritur dhe Shqipëria u gjend e papërgatitur për t’i bërë ballë ashtu siç duhet. Por, kjo gjë gjithsesi nuk e demoralizoi atë. Përkundrazi, vëmendja në këtë fushë kaq të rëndësishme është shtuar, duke përmirësuar arsimin e lartë, duke shtuar një degë të re tek Forcat e Armatosura, atë të sigurisë kibernetike dhe duke hapur edhe më shumë thirrje për vende të reja pune në këtë sektor. Sipas INSTAT, në vitin 2019, Shqipëria kishte një treg pune në fushën e teknologjisë me rreth 13,000 punë të lira, duke përfshirë pozicionet e programimit. Ndër vite kjo kuotë është rritur dhe sot në vitin 2023, ka një rritje prej rreth 40% te kuotës së vitit 2019. Shifër kjo e konsiderueshme për një vend në zhvillim si Shqipëria.

Shqipëria po bëhet një vend i rëndësishëm në fushën e teknologjisë dhe programimit në Ballkan. Rritja e shpejtë e industrisë së teknologjisë dhe e programimit në vend janë të frytshme për rritjen e vendeve të punës për të rinjtë shqiptarë dhe për ekonominë. Programi i kodimit që fillon që në klasat e para të shkollës, mund të kontribuojë në formimin e një brezi të ri profesionistësh të teknologjisë dhe programimit. Gjithashtu, vendosja e kompanive shqiptare, por edhe të huaja tek Piramida, por jo vetëm, do të sjellin padyshim rritje të ekonomisë së vendit dhe hapje të vendeve të reja të punës. Nëse trendi vazhdon në këtë drejtim, Shqipëria do të jetë në gjendje të rrisë edhe imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare. Kështu, rinia nuk do të ketë më arsye të largohet.

Punoi: Helena Kace