Prindërit dhe mësuesit mundohen të ulen e të flasin me adoleshentet për shumë tema që i mendojnë të arsyeshme për formimin dhe jetën e tyre. Shkolla, mos pi duhan, mos pi alkool, edukohu, mëso, dashuro… Dashuro? Çfarë është dashuria për një të ri?

Në fjalorin e gjuhës sonë të bukur shqipe dashuria përkufizohet si: ”Ndjenjë e fuqishme dhe e thellë pëlqimi, dashamirësie e adhurimi për dikë a për diçka, që na lidh ngushtë me të; ndjenjë e zjarrtë dhe e pastër për një njeri të seksit tjetër; miqësi e thellë dhe e çiltër: dashuria e nënës; dashuria për atdheun.” Fjalori përmend këtu të gjitha llojet e dashurisë për të cilat na kanë folur ne deri më sot. Si unë, si të rinj të tjerë i mendojmë pikërisht këto gjëra.

Nëse pyet vajzat se çfarë u vjen në mëndje kur dëgjojnë fjalën dashuri, një pjesë e mirë të tyre do tu fluturoj mendja menjëherë tek princi i kaltër. Djali perfekt, i bukur, që do i trajtoj ato si princesha dhe do të jetë i gatshëm të japi edhe vetë jetën për to. Një djalë të cilin edhe ato do ta duan pranë çdo minutë e sekondë. Nëse pyet djemtë, një pjesë e tyre do të mendoj po për të dashurën apo bashkëshorten e ardhshme. Ndërkohë një pjesë tjetër e mirë e djemve dhe vajzave me fjalën “dashuri” kujtojnë miqtë apo familjen e tyre. Nuk e veçoj veten nga asgjë e thënë me lart sepse edhe unë kisha këtë perspektivë për dashurinë derisa…

Një natë po qëndroja vetëm dhe shoh që brenda meje diçka ishte e trazuar. Ndjenja parehatie, mërzi, dëshpërim, asnjë grimcë motivimi. Dal në pasqyrë dhe shoh veten nga koka te këmbët teksa nga sytë më rridhnin disa pika lot. Zemra ime vazhdonte të rëndohej akoma më shumë nga mendimet e mia të errëta dhe një moment i thashë vetes: “Mos u dorëzo Grejs, ke njerëz që të duan! “ Ndalova dhe nisa të numëroj emrat e gjithsecilit. Një moment ndalova dhe vura re diçka. Kisha numëruar këdo, por kë kisha harruar vallë? Ah po! Kisha harruar veten time.

Gjithë ato mësime se si të duam këdo e gjithçka, por të duam veten përse nuk na mëson njeri? Në përkufizimin e dashurisë në fjalor përmendej çdo lloj dashurie. Po dashuria për veten përse nuk përmendet?

Ajo çka të rriturit nuk dinë është se brezi jonë Gen-Z ka mungesë të dashurisë për vetveten. Disa herë kam pyetur shoqërinë time : “ A e do veten tende? “ E vetmja gjë që kam marrë si përgjigje ka qenë vetëm heshtje dhe fytyra  konfuze.

Prindërit, gjyshërit, mësuesit, kushdo gjithmonë pyet : “A e do shoqen/shokun tënd? A e do të dashurin/ën tënd/e? Kë do më shumë, mamanë apo babanë?“ Askush nuk vjen të ulet me ty, të të jap një përqafim e të të thotë: “A e do ti veten tende?“

Kanë kaluar shumë vite që kur e kam menduar këtë gjë dhe akoma nuk kam parë e dëgjuar dikë të më bëjë këtë pyetje mua apo ndonjë prej shoqërisë sime .

Janë disa gjëra që nuk t’i mëson dot as shkolla e asnjë person tjetër. Askush nuk më mësoi mua të dua veten time. Asnjë nuk po e mëson këtë brez të ri se si të ketë dashuri për veten. Kjo gjë duhet mësuar në mënyrë autodidakte. Pyesni veten: “Si mund të dua unë dikë tjetër kur unë nuk dua veten time? “

Askush, përfshirë dhe mua nuk është perfekt. Ka shumë gjëra që mua nuk më pëlqejnë te vetja ime, por këto “defekte” janë ato çka më bëjnë mua Grejsi dhe jo dikush tjetër. Ajo që unë dhe çdo i ri/e re duhet të mësoj është që kur të dalin para pasqyrës, në vend të numërojnë “defektet”, të numërojnë gjërat e bukura që gjenden në paraqitjen, trupin, sjelljen, karakterin e vetes së tyre.

Kështu që të dashur prindër, mentorë, gjyshër, të gjithë ju që keni përgjegjësi për formimin e brezit të ri, mos u mësoni se si të duan partnerin apo shokun apo shoqen. Mësojuni atyre se që të biesh ne dashuri me dicka apo me dikë duhet si fillim të biesh në dashuri me veten.

Punoi : Grejsi Cani