Bullizmi është një fenomen global, një sjellje e padëshiruar, agresive që përfshin një çekuilibër të fuqisë. Ky fenomen, i cili prek një pjesë të konsiderueshme të fëmijëve dhe adoleshentëve, ndikon kështu edhe në shoqërinë tonë.

Dan Olweus, një profesor i psikologjisë, ishte i pari që kreu në vitin 1970 një studim intensiv mbi bullizmin ndërmjet nxënësve suedezë. Ai përkufizoi si më poshtë: “Një person është viktimë e bullizmit kur ai ose ajo është i ekspozuar, në mënyrë të përsëritur dhe për një kohë të gjatë, ndaj veprimeve negative të një ose më shumë personash dhe ai ose ajo ka vështirësi ta mbrojë veten”.

Por përse ndodh ky fenomen?

Adoleshenca është një periudhë delikate, gjatë së cilës formimi psikologjik ndikohet shumë nga faktorët e jashtëm. Në një pjesë të madhe të rasteve, faktorët negativë kanë një ndikim më të madh se ata pozitivë në mënyrën e të menduarit të një adoleshenti, duke i çuar ata të priren më shumë drejt sjelljeve agresive dhe bullizuese. Ndër këta faktorë psikologjikë radhiten:

  • Refuzimi i bashkëmoshatarëve në shkollë
  • Dështimi në shkollë
  • Të qenit viktimë e bullizmit,
  • Refuzimi dhe zhgënjimi duke bullizuar dikë tjetër
  • Abuzimi, neglizhenca dhe mungesa e dashurisë dhe sigurisë në shtëpi
  • Vetëvlerësim i ulët
  • Të qenit me grupet e bashkëmoshatarëve që shfaqin sjellje bullizuese
  • Imitimi i sjelljes bullizuese të prindërve
Çfarë mund të themi mbi nivelin e bullizmit në shoqërinë shqiptare?

Sipas OBSH, adoleshenca nis që në moshën 10 – vjeçare, derisa personi mbush 19 vjeç. Gjatë kësaj periudhe, pika kulmore e emocioneve të theksuara është 14 – 15 vjeç. Për këtë arsye, Denisa Malaj, një studente e diplomuar në universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, fakulteti i Shëndetit Publik, vendosi të studionte fenomenin e bullizmit në shkollat 9 – vjeçare të qytetit të Vlorës.

Ajo intervistoi 457 nxënës në 5 shkolla të ndryshme (specifikisht “Avni Rustemi”, “Muco Delo”, “Perla”, “Elite” dhe “Lef Sallata”). Në përfundim të studimit, Malaj doli në konkluzionin se 84% e nxënësve janë të përfshirë në fenomenin bullizmit, ndër të cilët 7.5% janë shumë të përfshirë. Kjo, një shifër tepër e frikshme që tregon realitetin dhe impaktin e këtij fenomeni në shoqëri.

Cilat janë pasojat e bullizmit mbi adoleshentët shqiptarë?

Studimet kanë zbuluar se fëmijët dhe adoleshentët që janë pjesë e fenomenit të bullizmit përjetojnë efekte negative psikologjike, fizike dhe akademike. Qofshin këto depresioni, ankthi, probleme shëndetësore apo akademike, tek personat e bullizuar, ose shanset më të larta për abuzim alkooli,  dënime penale dhe abuzim fizik të të afërme, tek bullizuesit.

Sipas psikologes Blerina Kaja, pasojat e bullizmit janë një problem i madh në shoqërinë tonë: “Një studim i ri ka treguar se fëmijët të cilët janë viktimë e bullizmit janë rreth 40% më shumë të rrezikuar për çrregullime të shëndetit mendor në moshën 20 vjeçare. Po ashtu, është parë se të rinjtë me histori bullizmi kanë 35% më pak mgjasa të jenë të punësuar.”

“Depresioni, ankthi, pasiguria, mungesa e ulët e vetëbesimit është në një shkallë aq të lartë, sa shumë prej tyre arrijnë të mendojnë vetëvrasjen. Fëmijët duhet të mundin frikën e tyre. Prindërit duhet t’i dëgjojnë , dhe vëzhgojnë në detaje” – këshillon Kaja.

Çfarë mund të bëjmë për ta adresuar këtë problem?

Në konkluzion, bullizmi është një fenomen serioz që prek adoleshentët, jo vetëm shqiptar, por në mbarë botën. Ai sjell pasoja tepër të rënda për viktimat dhe gjithashtu lë efekte afatgjata tek vetë bullizuesit. Megjithatë, ka akoma shpresa dhe besim se ky problem mund të zgjidhet. Duke edukuar nxënësit, mësuesit dhe prindërit, duke ofruar mbështetje për viktimat, duke i mbajtur bullizuesit përgjegjës për veprimet e tyre, dhe mbi të gjitha, duke ndërtuar besim në komunitet, ne mund të krijojmë një mjedis më të shëndetshëm dhe të sigurt për të gjithë.

Punoi: Kristi Bushi