Data 5 Korrik shënjoi një ngjarje të rëndësishme në kryeqytet për mediat më të spikatura në vend dhe të rinjtë pjesëmarrës në konkursin PONDER “Kritikët e Rinj”.

Një konkurs i cili organizohet nga ICTSLab me mbështetjen e UNICEF Albania dhe Qeverisë Italiane mblodhi më shumë se 10 përfaqësues të mediave tradicionale dhe online si dhe u nënshkruar një memorandum bashkëpunimi mes Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe shoqatës ALBICT për mundësinë e praktikave të punës për të rinjtë e angazhuar në PONDER.

Ky event mblodhi gazetarë e figura të rëndësishme mediatike në vend si znj. Amela Krasniqi (AMA), z. Aleksandër Çipa (Unioni i Gazetarëve) znj. Mira Kazhani (Tirana Post), z. Flogert Muça (Lexo.al), z. Fation Binjaku (Panorama), z. Ardit Rada (Java News), z. Luiz Tanushi (Tirananews.al), Gazeta TemA, Shqip.com, Dritare TV dhe Report TV.

Memorandumi i bashkëpunimit do të krijojë mundësi internship për të rinjtë dhe të rejat e edicioneve të PONDER të cilët mund të zhvillojnë më tutje aftësitë e fituara gjatë programit. Një praktikë profesionale e mësime për të rinjtë, gjatë internshipeve të rinjtë e PONDER trajnohen në fushën e redaktimeve, montimit të lajmit, gazetarisë dhe transmetimit.

Përgjatë fjalës së saj, Kryetarja e AMA-s vendosi theksin tek rëndësia e programeve të tilla të cilat përmirësojnë dhe rrisin efikasitetin e lajmit, perceptimin e të rinjve për median si dhe afirmoi angazhimin e saj në vijim për nisma si kjo. Në të njëjtën kohë, z. Aleksandër Çipa përmendi nevojën që ka media për të rinjtë dhe zërin e tyre si një katalizator pozitiv për qytetarinë aktive.

Gjatë evenimentit, Ema Meçaj, fituese e internship të PONDER pranë Top Channel, u shpreh se kjo eksperiencë e rriti dhe i dha asaj motivimin për të qënë një zë i rëndësishëm i të rinjve për kauza si të drejtat e njeriut. “Falë PONDER unë fitova një internship në televizionin kombëtar Top Channel në emisionin Wake Up, ku pata mundësinë të punoja me profesionistë të mirëfilltë të fushës së gazetarisë dhe të vija në praktikë aftësitë që kisha fituar gjatë PONDER. Janë aftësi që më kanë shoqëruar gjithë jetën, edhe pas përfundimit të internshipit kur u punësova në Wake Up-Top Channel si gazetare me kohë të plotë, edhe në përfaqësimet që i kam bërë rinisë shqiptare në forume dhe konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare si pjesë e bordit këshillimor të adoleshentëve të UNICEF Shqipëri.” u shpreh ajo.

Evenimenti u përshëndet nga znj. Edina Kozma, zëvendës përfaqësuese e UNICEF Albania e cila në fjalën e saj përmendi angazhimin e UNICEF në mbështetjen e nismave si PONDER dhe simotrave të saj për të vënë theksin tek rëndësia e mendimit kritik, perspektivave rinore tek të rinjtë shqiptarë duke qenë se kjo e fundit mungon përgjatë edukimit formal. Ajo u shpreh se: “Media, ndërkohë që mund të ofrojë një platformë për adoleshentët dhe të rinjtë për t’u shprehur, për të zhvilluar aftësi sociale, për të formuar besime dhe vlera, ka një ndikim të madh, veçanërisht në ditët e sotme në mesin e Gjeneralit Z. Shifrat, modelet, shfaqjet që promovon kanë një ndikim të rëndësishëm në jetën e të rinjve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë botën. Mendoj se të gjithë jemi shumë të njohur me ndikimin që patën media në komunikimin gjatë pandemisë Covid-19, nivelin e informacionit të duhur dhe të dobishëm, por edhe scoop, karremi i klikimeve, keqinformimin  ishin me ne prej disa muajsh.”

Në fjalën e tij, Kryetari i Bordit të ALBICT, z. Kushtrim Shala ndau falënderimin e tij me mediat për ndërmarrjen e një hapi të tillë me vlerë për shoqërinë shqiptare, ri-forcimin e lidhjes me të rinjtë por sidomos rëndësinë e angazhimit të këtyre të fundit në një mjedis mjaft të rëndësishëm siç është media. Ai vuri në pah edhe një herë numrat frymëzues të PONDER për një vit duke angazhuar 400 të rinj në rang kombëtar, si një tablo e qartë e nevojës së të rinjve për të qenë pjesë e zhvillimit por edhe të perspektivave të vlefshme që ata kanë ndarë nëpërmjet eseve të tyre në këtë projekt.

Përgjatë këtij evenimenti, Konkursi “Kritikët e Rinj” shpalli 5 të rinjtë fitues të cilët ishin përzgjedhur pas një sërë aplikimesh me të rinjtë të cilët u përfaqësuan me esetë e tyre: Aksel Mana, Anja Tahirllari, Egnald Çela, Edel Gjoni dhe Elis Salla.

Konkursi “Kritikët e Rinj” ftoi aplikimet që prej datës 16 Qershor ku të rinjtë mund të dërgonin esetë e tyre përmes faqes zyrtare të PONDER. 5 punimet më të mira u shpërblyen me 5 tabletë.

PONDER është një program social-rinor zhvilluar nga UNICEF dhe implementuar në Shqipëri në bashkëpunim me ICTSlab ndërsa që prej 2020-ës janë zhvilluar 6 edicione. Më tepër sesa një eveniment, PONDER është shndërruar në një lëvizje e cila nxit tek moshat e reja aftësinë e të menduarit kritik përballë informacioneve të hasin në media.