8 Shtator 1943. Italia kishte kapitulluar!!! Netët e bardha të verës sikur ndriçonin Shqipërinë, bulevardet e të cilit flisnin për një madhështi të rënë, për një epokë tjetër, ku kapitullimi i kësaj vuajtje i hapi rrugë një vuajtje tjetër, asaj naziste. Ngjante me një pickim të ligë në shpirt, kur njeriu mëson se në një ditë të tillë, ushtria gjermane kishte avancuar për të sulmuar Shqipërinë.

Im gjysh tregon : “Nuk mund t’i zije kurrë besë Hitlerit. Kur Hitleri, ky nacionalist i ekstremit të djathtë, synonte të kryente marrëveshje  për një Shqipëri të pavarur, neutrale, të kontrolluar nga një qeveri miqësore ndaj gjermanëve, ai më thoshte se disa prej intelektualëve të asaj kohe kishin shkuar në shtrat me djallin. Hitleri ishte vërtetë “djalli“ vetë, i cili dukej i vendosur të shkatërronte shpirtin njerëzor.

Rezistenca partizane antinaziste përballë asaj ushtrie të paepur gjermane, dukej komplet e vogël. Nazistët kështu, përparuan thellë me dhunë e brutalitet. Masakrat e bëra ishin të shumta në numër  e ndër to mbetet e paharrueshme “Masakra e 4 Shkurtit“. Në të mbetën të vrarë jo pak, por 84 persona e në fakt kjo ngjarje ka qenë më e ashpër se një hakmarrje ekzekutuese. Qindra Shqiptarë të tjerë janë rrëmbyer, në drejtim të kampeve çnjerëzore të përqendrimit të Prishtinës, Aushvicit dhe Mathausenit…

Gjatë këtyre netëve të errëta e të dhimbshme, agresioni ndaj Shqiptarëve kishte arritur kulmet e tij. Gjermanët nuk ishin armiqtë tanë të vetëm, përqafuar me to ishin tradhtarët, bashkëpunëtorët e nazi-fashizmit, çka rrezikonte të na çonte në  një luftë civile. Kaluan muaj, era e jaseminëve në oborret e familjeve shqiptare filloi të zbehej e të kompensohej me atë të gjakut.. Ishte gjaku i luftëtarëve nacional-çlirimtar, i cili po vinte duke u përpjesëtuar pas goditjeve të njëpasnjëshme. Po flasim për një periudhë ku prania e flakëhedhëseve të mbushura me lëndë djegëse viskoze dhe nitrocelulozë, predhave dhe mjeteve të tjera tipike ushtarake në cepa, ishte kthyer në një normali. Një periudhë ku të ekzekutuarit, kundërshtarët e bllokut nazi-fashist, gjendeshin të pajetë nëpër rrugë deri në fundin e Nëntorit ˋ44. Për të mos mjaftuar, këtyre viktimave u shtoheshin dhe qindra të zhdukur në kampet naziste të përqendrimit. Shumë nëna vajtonin mbi varret masive e të rënëve dëshmorë në përpjekje për t’i kthyer Shqipërisë frymën e lirë. Shumë nëna, motra e vëllezër vajtonin për familjarët e zhdukur në kampet e shfarosjes. Vajtonin me duart e sytë drejt kupës qiellore, për fatin dhe pafuqinë e tyre për të jetuar me dinjitet.

Dhe në ditët e sotme, mes gjykimeve të ftohta, gjenden ide ekstreme të pajustifikueshme, egoiste, që shkaktojnë tensione rajonale, efektet e të cilave mund të tejkalojnë në globale. Një frymë bashkëpunuese e pozitive, që ka në themel tolerancën e mirëkuptimin, respektin ndaj kulturave dhe etnive, do të jetë gjithmonë një garanci që krimet naziste apo të diktaturave te tjera, të majta apo të djathta, të mos ndodhin më duke kujtuar të kaluarën e duke ndërtuar të ardhmen duke thënë “kurrë më“.

Punoi: Eliana Meda