Letërsia, që nga fillesat e saj është përpjekur të ndërtojë modele universale të përballjes me një ekzistencë të cilën asnjëherë nuk arrin ta bësh tënden. Hamleti, princi i marrë i Danimarkës është një prej tyre. Qartësia e imazhit të tij kaq larg nga mesjeta që e lindi, dëshmon se dëshira njerëzore për identitet ka mbetur e njëjtë përtej kohërave.

Mbijetesa e shpirtit në një botë që në mijëvjeçarë ka dëshmuar luftën e padrejtë ndaj të pastrës, të ndershmes dhe të vërtetës, e bën gjithmonë aktuale nevojën për Hamletë, të cilët çjerrin maskat duke demistifikuar iluzionin e një njerëzimi që përparon, ndërsa hap perden e mashtrimit dhe vesit që kanë mbetur të njëjtët edhe në kohën e njeriut modern.

Në një kaos ndjenjash dhe dëshirash, Hamleti refuzon të heshtë para të keqes, duke sakrifikuar ndjenjën dhe dashurinë e tij nën një maskë çmendurie. Dilema e tij: “Të rrosh a të mos rrosh…” nuk është më vetëm një kontradiktë e epokës së tij, por reflekton në sytë tanë, dilemën e njeriut modern që kërkon një motiv, një arsye për të jetuar pa mashtrim dhe shtirje, i ndërgjegjshëm që nëse këto nuk i gjen ose nuk e lejojnë t`i ndërtojë, më mirë të zgjedhë heshtjen e përjetshme e të braktisë kështu një pafundësi ëndrrash e mundësish që mund ta bënin botën një vend më të mirë.

Duket sikur midis botës mesjetare dhe asaj të njëkohësisë vazhdojnë të shëtisin fantazmat e Sokratit, Jezusit, Hamletit e shumë të tjerëve, të cilët refuzojnë të braktisin skenën, në shpresën se në një moment qenia njerëzore do të jetë gati për botën që ato ëndërronin.

Punoi: Rubin Vrapi