Ky shkrim është përgatitur në kuadër të programit Ponder Albania me fokus mendimin kritik në media, udhëhequr nga UNICEF Albania dhe implementuar nga ICTSlab.

 

Ilsea Cani / Ponder Albania

 

Secili nga ne, kur vjen puna tek prejardhja e tyre, e ndjejnë se kanë një lidhje të veçantë me këtë temë. Të gjithë duam që prejardhjen tonë ta paraqesim në mënyrë dinjitoze e të drejtë, ashtu siç duhet. Këtë do të paraqes dhe unë sot për prejardhjen e të parëve të mi.

Shumë shpesh na kanë zënë veshët frazën: “a janë apo jo shqiptarët autokton?” Kjo ka qenë gjithmonë një temë mjaft delikate për tu diskutuar dhe e paraqitur me opinionet nga më të ndryshmet. Megjithatë, faktet historike e logjike, të cilat ndoshta dhe nuk janë treguar ashtu si janë, kanë përgjigjen e vërtetë të kësaj pyetjeje.

Informacionet të cilat do ta bënin përhershme prejardhjen tonë, fatkeqësisht nuk janë paraqitur të vërtetë, por ka pasur ndryshime në mënyrë që kjo lashtësi të mos vërtetohet. Megjithatë, faktet e zbuluara ndër vite e dekada, pohojnë mjaft qartë se shqiptarët janë pasardhës të fiseve ilire. Pra, ne shqiptarët nuk jemi një popull i ardhur, por jemi autokton në trojet tona që në lashtësi.

Në kohën e komunizmit, tregohej se Greqia dhe grekët janë ndër popujt më të lashtë. Në parim ashtu është, por në realitet kemi të bëjmë me një ndryshim radikal të emërimit historik. Ka disa fakte të cilat tregojnë të kundërtën. Një fakt mjaft bindës është emri kryesor dhe çelësi i lashtësisë “Athina”. Ky emër qëndron si gjigant dhe i patundur në Greqinë e Evropianëve modern. Megjithatë, po të analizojmë prejardhjen e këtij emri, do të dallojmë se zbërthimi i tij bëhet vetëm në gjuhën shqipe dhe se nuk ka asnjë lidhje me gjuhën greke. Nga burime të ndryshme kontestohet se zbërthimi I kësaj fjale ka këtë kuptim: Athena = a + at = thena + hena. Kemi të bëjmë edhe me emërimin të hënës e cila ishte një nga cilësimet subjektore kryesore të këtij populli të lashtë. At = Ati yt At = A, këtu shohim një kuptim të qartë të rrënjës, sepse dihet që Ati “babai” është trungu i fillimit të familjes, dhe baza mbi të cilën është ngritur edhe alfabeti mbarë gjuhësor në tërësi. Ky është një fakt sa i thjeshtë, po aq I rëndësishëm për lashtësinë e trojeve tona shqiptare.

Populli jonë është identifikuar si një nga popujt me prejardhje më të lashtë në botë. Ata flasin gjuhën shqipe dhe e kanë origjinën në territoret antike të Ilirisë dhe Epirit në Ballkanin perëndimor. Lashtësia jonë shkon deri në antikitet: “Ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë… Kjo është toka e heronjve të të gjithë kohërave… Homeri aty gjeti Akilin, grekët Aleksandrin e Madh, turqit Skënderbeun, njerëz këta të së njëjtës racë, të të njëjtit gjak”. Këtë e citon Lamartini, duke vërtetuar dhe një herë që prejardhja jonë daton në një kohë shumë të lashtë, edhe pse ndoshta historia e shkruar e ka fshehur këtë fakt dhe ka treguar të kundërtën.

Historianë të ndryshëm janë të një mendimi: Shqiptarët janë autoktonë, të cilët gjatë të gjitha dyndjeve të popujve, e ruajtën tipin dhe karakterin e vet në mënyrë të theksuar. Ata u bënë ballë sulmeve të romakëve, mësymjeve të dendura të sllavëve, të cilët ua pushtuan të gjitha fushat, ultësirat, dhe lumenjtë. Johann Georg, një historian që u mor me gjetjen e prejardhjes së shqiptarë ka thënë se Shqiptarët janë pasardhës të Ilirëve, ndërsa ilirët janë pasardhës të pellazgëve. Pra, shqiptarët janë stërnipërit e Pellazgëve. Me këtë konstatim themi se origjina e shqiptarëve ngjitet deri te koha e pellazgëve dhe kanë origjinë para-helene.

Pozita gjeografike e Shqipërisë është një tjetër faktor i cili do të sigurojë vërtetësinë e lashtësisë së popullit tonë. Fiset ilire kanë qenë të vendosur në territoret e Gadishulli Ballkanik, shtriheshin në një trevë të hapët, që kishte në veri si kufi Danubin dhe shkonte në jugë deri në kufijtë e Greqisë antike e në gjirin e Ambrakisë. Në perëndim kufiri i natyror i tyre ishte Adriatiku, kurse në lindje Morava, Vardari, dhe vargu i maleve Varnos i ndante ata afërsisht nga trakët e maqedonasit. Këto territore tregojnë qartë që vendndodhja e ilirëve përkon me atë të shqiptarëve, duke vërtetuar pasardhësit tonë nga ilirët.

Kjo temë ka një mori mendimesh e konstatimesh, njerëz të ndryshëm kanë opinione të ndryshme. Megjithatë, faktet e lartpërmendura vërtetojnë mjaft qartë që prejardhja jonë është e lashtë dhe rrjedh prej Pellazgëve, të cilët pasohen nga Ilirët e më pas nga ne.

Të gjithë shqiptarët, të bindur në atë që është e vërtetë, ndihen krenarë dhe ecin me kokë lart kudo, duke qenë të sigurt se janë pasardhës të një nga popujve më të zhvilluar të lashtësisë dhe se askush nuk e vërteton dot të kundërtën. Është krenari e madhe për këdo të kemi një vlerë kaq të lartë historike, e cila vlerësohet dhe njihet si unike dhe më e lashta nga e gjitha bota mbarë.