Ky shkrim është përgatitur në kuadër të programit Ponder Albania me fokus mendimin kritik në media, udhëhequr nga UNICEF Albania dhe implementuar nga ICTSlab.

 

Sonja Petro / Ponder Albania

 

Fjalë, lajme, informacion i fundit…a është ky tingulli i të vërtetës, apo thjesht një vegim i radhës?

Jetojmë në një botë ku kufiri mes iluzioneve dhe reales vjen duke u venitur e duke marrë me vete aftësinë e dikujt për të bërë dallimin mes autentikes dhe trillimit. Bëjmë pjesë në këtë realitet ku e vërteta është lehtësisht e manipulueshme e ku iluzionet pasqyrohen përmes fakteve të shtrembëruara përpara syve të paformuar. Si mund të krijohet ky lak në dukje i pafundmë e pa rrugëdalje në një fushë kaq transparente te jetëve tona siç është media?

Media është bërë një aspekt thelbësor i sistemeve demokratike që qeverisin sot në mbarë botën, duke kryer funksionin e ndërmjetëses midis institucioneve shtetërore e pjesës më të madhe të popullit, por për më tepër duke kërkuar të informojë e përditësojë audiencën e saj mbi aktualitetin qe e rrethon.

Duke marrë parasysh gjithë rëndësinë që media paraqet në shoqërinë tonë, është e nevojshme te marrim në konsideratë influencën e madhe që ajo ka.

Fatkeqësisht mundësia që në transmetimin e të vërtetave të ndërhyjnë shpeshherë pikëpamjet dhe interpretimet individuale, është absolute. Gjithashtu nuk mungon probabiliteti se manipulimi i fakteve bëhet për të tërhequr vëmendjen e publikut duke iu përshtatur interesave të këtij të fundit. Kjo bën që informacioni të mos përpunohet në mënyrën më efikase për t’iu transmetuar publikut. Ndoshta ajo nuk ndikon drejtpërdrejtë në vërtetësinë e informacionit, po vendosja e tij brenda kornizave të një konteksti të caktuar, mund të përcjellë një mesazh që lë hapësira për interpretime të gabuara.

Këto raste i dallojmë kryesisht në mediat sociale ku mungesa e kufizimeve apo limiteve, përveç lirisë së të shprehurit që i ofron çdokujt, bën që të kthehet në media të aksesueshme nga burime keqinformuese dhe të pa verifikuara, të cilat e kanë të lehtë t’i shfrytëzojnë këto platforma për përfitime personale. Duke fituar atë lloj pushteti, të cilin mund ta shfrytëzojnë për të influencuar te tjerët, këta persona ndikojnë mbi perspektivat e ndjekësve të tyre, qoftë informacioni që japin i saktë apo jo. Patjetër që e konsiderueshme është edhe aftësia e personit në anën tjetër të këtij kanali komunikimi, për të analizuar, vlerësuar e vepruar mbi atë informacion që merr.

Media sot është dega kryesore e shkëmbimit të informacionit, që njëkohësisht mbart përgjegjësinë më të madhe mbi mënyrën dhe cilësinë me të cilën bëhet ky shkëmbim. Në mënyrë që media të ketë përmbushur objektivat e saj e të ketë kryer plotësisht funksion qe ka, duhet që të krijojë një marrëdhënie rigoroze me publikun, duke e bërë komunikimin midis të dy hallkave më profesional.