Ky shkrim është përgatitur në kuadër të programit Ponder Albania me fokus mendimin kritik në media, udhëhequr nga UNICEF Albania dhe implementuar nga ICTSlab.

 

Arbana Doçi / Ponder Albania

 

Politika si një përfaqësuese e progresit social-ekonomik të një vendi luan një rol kryesor dhe tepër të rëndësishëm në mbarëvajtjen e shtetit. Patjetër që dhe personat që e udhëheqin politikën duhet të jenë figura sa më të pastra dhe të përgjegjshme, duke mos lënë pas patjetër një kriter po aq të rëndësishëm siç është të qenurit i aftë.

Një pyetje qe vlen të shtrohet dhe diskutohet parë nga një këndvështrim realist dhe kritik është: “A janë me të vërtetë këta njerëz kaq të paprekur nga krimi në të gjitha format e tij?” Sigurisht që kjo pyetje prek dhe shqetëson një masë të gjerë të popullsisë. Megjithatë le të fokusohemi tek pyetja e shtruar më lart.

Një shprehje e Makiavelit thotë: “Politika nuk ka lidhje me moralin.” Kjo shprehje tingëllon si tepër e ashpër dhe e paedukatë. Fakti që këto fjalë kaq të thjeshta të lidhura bashkë e godasin në palcë atë kultin në dukje te mrekullueshëm, ia shtojnë magjinë dhe më shumë. Duket sikur vërtetojnë më së miri ato lajmet qe kanë qarkulluar dhe qarkullojnë çdo ditë në media mbi rastet e politikanëve të implikuar në krime dhe që kanë bërë bujë.

Po ashtu një tjetër fakt është dhe prishja e raportit qytetar-politikan. Kjo prishje e marrëdhënieve vjen si pasojë e mosbesimit të qytetarit kundrejt politikanit, gjë e cila vjen si rrjedhojë e reflektimit të popullit mbi aktualitetin në të cilin jetojnë. Dihet që kjo nuk është një gjë e mire pasi prish atë rregullin se si një “trup” i shëndetshëm funksionon. Sot Shqipëria duhet të kishte një qëndrim më autoritar në rajon. Me te drejtë këtë gjë ja jep historia e saj e gjatë dhe e dhimbshme.

Megjithatë krahas çdo të keqeje ka dhe të mira. Janë bërë reforma dhe kanë përmirësuar Shqipërinë. Sërish nuk gjej dot argumente për ta vërtetuar çështjen e ngritur lart. Reformimet dhe ndryshimet sjellin një të nesërme më të mire dhe më shpresëplotë.

Pra, pastrimi i politikës nga figurat që e dëmtojnë atë dhe japin një shfaqje të shëmtuar për gjeneratat e reja do ishte gjëja e parë dhe më efektive për t’u bërë.