Ky shkrim është përgatitur në kuadër të programit Ponder Albania me fokus mendimin kritik në media, udhëhequr nga UNICEF Albania dhe implementuar nga ICTSlab.
Elvis Caushaj / Ponder Albania
Mediat e reja sot dhe të rinjtë duket se kanë një lidhje të pandashme meqenëse duket sikur asnjëra palë nuk mund të bëjë pa tjetrën. Media është një pjesë e rëndësishme e jetës së të rinjve dhe vështirë se këta të fundit mund ta shtyjnë kohën pa të. Ky artikull ka si qëllim të analizojë ndikimin e medias së re tek të rinjtë dhe mendimet e tyre.
Instagram, Twitter dhe Facebook janë vetëm tre nga mediat e reja më të njohura të cilat përdoren nga miliarda njerëz në të gjithë botën, pjesa më e madhe e të cilëve janë të rinj. Sipas Akademisë Amerikane të Pediatrisë 22% e adoleshentëve vizitojnë faqen e tyre të preferuar të mediave sociale më shumë se 10 herë në ditë, dhe më shumë se gjysma e adoleshentëve vizitojnë një media sociale më shumë se një herë në ditë. Kështu, një pjesë e madhe e zhvillimit social dhe emocional e kësaj gjeneratë ndodh në internet dhe në telefonat celularë. Shifra të tilla tregojnë lidhjen e fortë dhe ndikimin e thellë të këtyre platformave tek të rinjtë sot.
Sasia e madhe e kohës që shpenzohet në këto media është e tillë jo pa arsye. Ato kanë një sërë aspektesh pozitive të cilat lehtësojnë jetën e të rinjve dhe i ndihmojnë ata në zhvillimin e perspektivave për çështje të ndryshme, inkurajimin e lirisë së të shprehurit ndër të tjera. Kështu këto faktorë i bëjnë mediat sociale një aset për të rinjtë dhe i vijnë atyre në ndihmë.
Por ashtu si çdo gjë në jetë së bashku me të mirat vijnë edhe të këqijat ose aspektet negative thënë ndryshe. Ndër to mund të përmendet mungesa e kontrollit të mjaftueshëm të informacionit duke qenë se shumë nga informacioni që qarkullon është jo gjithmonë i vërtetë dhe çdokush mund të shkruajë dhe publikojë lajme pa asnjë problem. Kështu lind problemi i “fake news” i cili është një nga shqetësimet më të mëdhaja në internet ditët e sotme.
Si përfundim të rinjtë ndikohen në një sasi të konsiderueshme nga mediat me gjithë anët pozitive dhe ato negative të këtyre të fundit. Edhe pse këto media duket sikur nuk veprojnë mbi jetën e të rinjve efektet e tyre nuk janë të menjëhershme por dallohen më vonë në jetë qofshin këto për mirë ose keq.