Programi social-rinor i cili ka për qëllim nxitjen e aftësisë të të menduarit kritik tek moshat e reja, prezantoi së fundi konkursin kombëtar “Kritikët e Rinj” ku të rinjtë e moshave 14-21 vjeç mund të aplikojnë për tu bërë pjesë ekskluzivisht përmes aplikacionit PONDER.

Misioni i PONDER ose siç njihet ndryshe i lëvizjes së influencuesve të rinjë është të rrënjosë aftësitë e mendimit kritik tek adoleshentët duke i trajnuar dhe edukuar me kurrikulë e cila vë theksin tek roli i medias në kulturën dhe shoqërinë tonë.

Konkursi synon të vlerësojë talentet e reja në shkrim dhe lexim kritik mediatik duke u dhënë mundësinë të rinjve të konkurrojnë në disa kategori. Të rinjtë mund të dërgojnë shkrimet përmes aplikacionit PONDER pasi të kenë zgjedhur një prej tematikave të përcaktuara. 5 punimet më të mira do të fitojnë nga një tablet secili dhe pajisje te tjera dixhitale do të jenë çmime surprizë.

Si të bëhem pjesë e konkursit “Kritikët e Rinj”

Për tu bërë pjesë e këtij konkursi, të rinjtë duhet të shkarkojnë dhe të regjistrohen në aplikacionin PONDER i cili është i disponueshëm në Android dhe iOS.

Duke shkuar në kategorinë ESE mund të zgjidhni opsionin Apliko dhe të plotësoni fushat e kërkuara si dhe esenë e përgatitur.

Mund të aplikoni në tre kategoritë të ndryshme si mëposhtë:

  • Shkrim-Lexim kritik mediatik si pjesë e kurrikulave mësimore: Pse shkrim leximi kritik mediatik duhet të jetë pjesë e kurrikulave edukative dhe si mundet edukimi dhe ndërgjegjësimi mbi mendimin kritik të adresojë trafikimin e qënieve njerëzore?
  • Interpretimi dhe dëshifrimi i lajmeve: A mund të fajësojmë revolucionin teknologjik për gjenerimin e lajmeve të rreme? Çfarë aftësish mund të fitojnë të rinjtë shqiptar për tu bërë të aftë në interpretimin dhe deshifrimin e lajmeve në media?
  • Identifikimi i lajmeve dhe influenca e tyre mbi shikuesit: Si mund të navigojmë në media dhe të kuptojmë faktet thelbësore, të tërheqim vëmendjen e lexuesve dhe të influencojmë në masën e gjerë?

Esetë e dërguara janë me temë të lirë dhe çdo i ri mund të bëhet pjesë me punimin e tij në kategoritë e lartpërmendura.

Aplikacioni PONDER u lançua në kuadër të programit PONDER i cili erdhi për vitin e dytë me radhë në Shqipëri. Në aplikacionin PONDER të rinjtë mund të testojnë të menduarit e tyre kritik përmes testeve të vëna në dispozicion në fusha të ndryshme si Art, Lifestyle, Personazhe, Politikë, Sport dhe Teknologji.

Duke u bërë pjesë e këtij konkursi të rinj do të eksplorojnë fusha të reja dhe ide të reja duke dëshmuar se të rinjtë Shqiptarë janë forcë transformuese në shoqëri. Misioni i PONDER është formësimi i një qasje kritike ndaj informacionit, identifikimi dhe analizimi i këndvështrimeve të ndryshme, gjykimi i autenticitetit, vlerës dhe burimit të informacionit.