Ky shkrim është përgatitur në kuadër të programit Ponder Albania me fokus mendimin kritik në media, udhëhequr nga UNICEF Albania dhe implementuar nga ICTSlab.

 

Soni Seli / Ponder Albania

 

Në shumicën e ditëve kur zgjohem në mëngjes mamaja ime më tregon lajmet që i ka lexuar në një ndër faqet e Facebook të cilat postojnë në mënyrë të vazhdueshme lajme dhe informacione të ndryshme. Por sa të besueshme janë këto lajme që po përcillen tek ky brez dhe a jemi ne të aftë të bëjmë një dallim të një lajmi të rremë?

Sipas një pyetësori që është bërë kohët e fundit rreth 45% e popullsisë shqiptare akoma përdor Facebook, pjesën më të madhe të përdoruesve e zënë grup mosha 30 deri në 70 vjeç. Kjo na tregon qartazi se si brezi i prindërve tanë është më i influencuar nga informacionet që marrin nga ky rrjet social.

Facebook është një platformë tepër elastike në dhënien e informacionit duke të ofruar mundësinë që të shpërndash një faqe interneti në më pak se 1 minutë. Shumica e faqeve informuese që kanë një llogari në Facebook mundohen t’i japin ndjekësve lajme të caktuara dhe arrijnë në atë pikë që të shfrytëzojnë kohën e shkurtër të shpërndarjes së një faqe interneti për ta mbushur me sa më shumë lajme që në shumicën e rasteve rezultojnë të jenë të rreme.

Për të marrë më shumë shikues në postimet e tyre, faqet zyrtare ose jo të lajmeve postojnë lajme jo të vërteta. Një problem që mund të lindë nga ky synim është krijimi i faqeve jo të certifikuara të cilat shpërndajnë lajme shpesh edhe në mungesë të fakteve ose burimeve të besueshme.

Për të zgjidhur këtë problem dalim në përfundimin që informacioni dhe lajmi që shpërndahet në rrjetet sociale (në këtë rast Facebook) duhet të jetë më i kontrolluar nga palë të treta të cilat mund të monitorojnë punën e vazhdueshme dhe certifikimin e faqeve informuese. Ne si individ duhet të tregohemi të kujdesshëm ku marrim sasi të mëdha informacioni duke përdorur mendimin kritik për të bërë dallimin nëse një lajm është fake ose jo.