Qëllimi i krijimit të një individi me parime të forta morale,përqasje intelektuale dhe aftësi të padiskutueshme për sukses (zhvillim) është miti social prej qindra vitesh i artikuluar dhe aktualisht  shumë i kërkuar. Me paramendim ose jo, duket se njerëzit zgjedhin të ndryshojnë metodika, por jo qëllime, kjo me siguri e nxitur nga mentaliteti shumëvjeçar i Njeriut të Ri. Në kontekste të caktuara kohore dhe vendore qasja e njeriut ndaj mendimit dhe veprimit ka ndryshuar dhe dukshëm kemi evoluar drejt parimit, “shumë punë,pak energji e harxhuar”. Ndonëse në realitetin shqiptar ndryshimet sfumohen nga problemet esenciale të përditshme, parimisht njeriu i ri i kohëve tona punon shumë, por në mënyë të zgjuar (smart :nga anglishtja), me zgjidhje praktike dhe jo me ideale teorike.Me rëndësi vlerësohet zgjidhja e sa më shumë problemeve dhe jo cilësia e qasjes ndaj tyre. Këtë fenomen mund ta njohim si dixhitalizimi i intelektualitetit.

 

      Nën këtë mendësi formësohet edhe mjedisi ku unë dhe ju, ne të rinjtë shqiptarë, rritemi dhe intelektualizohemi si qytetarë. Si është ky mjedis?!  I integruar në një shprehje popullore ky mjedis do ekspozohej: Deti duke u tharë, Shqiptari i Ri duke u mbytur!!

Që të kuptohemi më mirë, po e shtjelloj përshkrimin.

Është një mjedis me shumë informacion, por me pak njohje. Një mjedis me shumë intelektualë virtualë, por me pak mendime. Një mjedis me një kurrikul të gjerë mësimore, por me të rinj pa mendim kritik. Një mjedis me probleme tanimë të identifikuara, por pa asnjë zgjidhje konkrete. Një mjedis që zhvillohet, ndonëse është skeptik deri në mohim ndaj ndryshimit. Një mjedis me rini vitale, por pa motivim. Një mjedis me të rinj “të kapshëm, nën moton “kap ça të kapësh”. 

     Nëse ia kam dalë të të vëj në pozitë kundërshtuese me gjithë ç’kam thënë më lart, atëherë mirësevjen në debat! Më ka marrë malli të debatoj me një të ri bashkëqytetar aq sa mund ta ketë marrë malli një të prekur me Covid-19 të frymojë pa bombul oksigjeni(këtu:të gjitha rastet e agravuara të sëmundjes)!

        Ndonëse statistikisht INSTAT pak vite më parë, shprehej se 1/3 e popullsisë shqiptare nuk kishin prekur asnjë libër me dorë në gjithë jetëgjatësinë e tyre (asokohe nxiti fushatën #Lëvizja Kombëtare për Lexim), ky studim i INSTAT(me të drejtë) nuk synoi të merrte në shqyrtim 30 artikujt që një shqiptar(këtu:individ target grupi) lexon mesatarisht në ditë. Sigurisht 30 artikuj mund të të duken shumë ose pak, por mos harro që një portal publikon në ditë mesatarisht 25-30 lajme/artikuj(vlera aktuale e postimeve ditore të portalit  https://lapsi.al/ ,2020), në një kohë kur numri i portaleve shqiptare në total ka arritur një vlerë treshifrore. Sa informacion qarkullon në mjedisin tonë të vogël shqiptar? Shumë informacion,sigurisht! E veçanta në këtë histori është se shumica e lajmeve të një portali janë automatikisht të publikuara në shumicën e këtyre portaleve (+000) dhe nën ndikimin e strategjisë të lobimit të publikimeve me më shumë klikime, shqiptarët përfitojnë fare pak njohuri të reja. Fuqishëm ata vetëm sa përforcojnë gjithë ç’dinin. Sa pak njohuri,sa pak!

   Meqë portalet i ezauruam, sdo harroj të përmend të gjithë mendimtarët tanë të Instagramit, autorët e artikujve (dëshpërimisht të stisur si të tillë për më shumë klikime në Web-e) dhe folësit shumë të aftë të studiove televizive. Ndjekja e tyre i ngjan varësisë së një pijedashësi ndaj faqores së tij, e njejta shije që nuk i shijon më, por faqorja e tij do mbetet përherë faqorja e tij(ndjesi)! Kuriozitet: secili prej nesh e di mendimin e secilit prej tre aktorëve të mësipërm përpara se vetë ata të shprehen mbi ndodhitë e reja në vend, por vazhdojmë t’u japim klikime. Sa pak mendime,sa pak!

   Ne jemi të vetëm në llojin tonë, pak por e sigurt! Të gjithë, të ndarë, identifikojmë probleme dhe zgjidhja e tyre është tabu e rënë pre e gjykimit,skepticizmit dhe mosbesimit. Në këtë pikë jemi plotësisht të pafaj, jemi thjesht prodhim seri e një kulture shumë të cënuar ndër vite. Në këtë mjedis kur nis të ndërtohet një rrugë, fundi i saj është një vegim që inxhinieri që e ndërtoi kishte në fillim të ciklit të tij të studimeve. Në këtë mjedis rrallë biem dakord, por “që këtu nuk ecën asgjë”, as nuk ka nevojë ta shqiptojmë; kuptohemi me sy. Nëse nis një protestë,të gjithë mobilizohemi ta shuajmë…protestën dhe jo të zgjidhim kauzën. Në vetvete është një prirje e fuqishme për të qëndruar të pa ndryshuar teksa koha fluturon, por ç’ti bëjmë globalizmit dhe të huajve; jetojnë shumë mirë dhe kanë super stil të poshtërit(ahh…një familje si ajo e Chiara Ferragni)!

   Fatkeqësia jonë ka tjetër emër. Mund të zgjedhësh ta shikosh si pasojë ose si shkak të gjithë panoramës që paragrafët e kaluar të kanë krijuar në imagjinatë, gjithsesi mbetemi fatkeqë në formën tonë. Një ndjesë paraprake do dukej me vend për këdo që fatkeqësia ka një tjetër kuptim, qoftë më të ashpër apo më pak të tillë! Po me aq vend sa ndjesa, është edhe e vërteta që motori i zhvillimit të një shoqërie, në Shqipëri është teknikisht i pezulluar. Pa folur për reduktimin masiv në numër të popullsisë vitale,pa përmendur tkurrjen e numrit të banorëve aktualë në rrethe të largëta veriore e jugore, realiteti ynë shpalos dhe shtjellon një problematikë shumë të veçantë si ajo e deformimit të procesit natyral të formimit të të rinjve. Për nga tradita,të rinjtë në këtë vend janë një forcë e heshtur, por shumë indikative.Natyralisht ne jemi të zellshëm, të vendosur, mjaft përparimtarë dhe inovativë, miqësorë, kokëfortë, por të rritur nën tutelë të vazhdueshme shoqërore.  

   Të rinjtë tanë nuk arrijnë ta pranojnë publikisht që kanë interes për politikën dhe që në fletët e votimit shënojnë një parti a një kandidat. Të rinjtë tanë mund të dëgjojnë për 4 orë pa ndalim video mbi veprën e Michel de Montaigne, por kanë frikë të mendojnë se mund ta lexojnë atë. Secili prej nesh është i sigurt se do bëhet sipërmarrës kur “të rritet”, por tani për tani preferojmë të ëndërrojmë kafeneve(krejt normale). Shumica prej nesh ka vuajtur nga hartimet e gjata të letërsisë,ndaj të shkruarit ka hyrë në kategorinë e superfuqive. Të gjithë jemi pjesë e një gjenerate që vuan nga ankthi, depresioni, shkëputja sociale natyrale, paragjykimi dhe trendet veçuese. Shqiptari i ri, miku im si për rastësi, pavarësisht se flet e shprehet shumë, vazhdon të ndihet i huaj në historinë e tij. Përfytyrojeni si një film ku protagonisti është frymëzues, i pavend, i lëvizshëm dhe i pashpjegueshëm(nga të tretë).

  Historia tregon që në 12 vite arsimim parauniversitar nuk na krijohet mundësia të mësojmë të jemi analistë analitikë,mendimtarë kritikë dhe qytetarë që arrijnë të shkruajnë. “Kërkoju studentëve të shkruajnë një artikull a një ese dhe kupto sa kohë kanë që nuk kanë provuar të mendojnë. Dhe pretendojnë të jenë të suksesshëm!!”-Jordan Peterson,psikolog dhe profesor kanadez. Hidhur një student shqiptar zgjidh ekuacionet algjebrike më lehtë se sa të shkruajë një kritikë, me laps e letër.  Mungesa e aftësisë për të shkruar është vetëm derivim i mungesës së procesit natyror të mendimit, mungesa e pasurimit të tij me aftësitë intelektuale të fituara në përditshmëri. Nxitja e reaksioneve për të menduar është e mangët për sa kohë nuk kemi një shtysë që vë në punë ingranazhin e mendimit. Idetë dhe iniciativat shpalosen të izoluara për t’u shuar në pakë kohë. Duke marrë çdo mendim të gatshëm, ndihemi të prirur për të menduar atë që dëgjojmë. Kujtoni sesa lehtë e vlerësojmë një publikim në Instagram. Një pëlqim është I barabartë me një prirje, një ide, një besim.Pëlqimet janë mjeti i nxitjes së përhapjes së një fenomeni dhe ndodh aq shpejtë sa shumica as nuk e mendojmë sa befasishëm bëhemi pjesë e fenomenit. 

   Në fund të fundit, faji nuk është i mjetit, por i qëllimit. Mjafton të ulemi të shkruajmë dy rreshta çdo ditë se cili do jetë qëllimi nesër dhe si do i përdorim mjetet. Mjafton të shkruajmë një mendim e më pas ta kritikojmë. Herën e parë kemi të drejtë edhe ta shajmë.Më pas ta korrigjojmë, ta rimendojmë sa herë të duam. E rëndësishmë mbetet të priremi drejt kritikës, duke shkruar çrregullt dhe analizuar drejtë.