Qyteti i Kukësit mirëpriti në datat 1-3 Dhjetor edicionin e gjashtë të programit social-rinor Ponder me të rinj që iu bashkuan nga Kukësi, Hasi dhe zonat rurale përreth.
Me rreth 130 aplikime të mbërritura, 100 prej tyre u përzgjodhën për tu bërë pjesë e workshopit 3-ditor.
Ponder është një program i cili ka për qëllim të nxisë tek të rinjtë aftësinë e të menduarit kritik, veçanërisht përballë informacioneve që marrin nga llojet e ndryshme të mediave.
Tirana, Elbasani, Korça, Berati dhe së fundi Kukësi kanë mirëpritur edicione të ndryshme të Ponder, ndërsa ky aktivitet organizohet në kuadër të projektit “Qëndro” me mbështetjen financiare të Qeverisë Italiane dhe zbatohet nga UNICEF Shqipëri në partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, Ministrin e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, Ambasada Italiane dhe implementohet nga ICTSlab.
Kurrikula e Ponder implementohet përgjatë një workshopi tre ditore nën kujdesin e mentorëve të Ponder dhe përbëhet nga katër module.
Kohorta e mentorëve të edicionit të gjashtë të Ponder në Shqipëri përbëhej nga ekspertë të fushës së medias dhe publicistikës si: Gentian Guni, Fation Binjaku, Erjona Todaj, Sara Zekaj, Brisilda Gashi, Violeta Duraku, Ervisa Todaj, Valmira Morina, Emiriola Velia dhe Gentiana Ahmeti.
Në ditën e parë ku të rinjtë mirëpritën një vizitë nga nënkryetarja e Bashkisë Kukës znj. Elgida Bilali, ata mësuan dy modulet e para Shkrim dhe Lexim Kritik Mediatik dhe Llojet e Mediave.
Në ditën e dy vijuan me dy modulet e tjera Lexim i Fotografive dhe Fuqizimi përmes Shkrimit dhe Leximit Mediatik. Gjatë modulit të tretë të rinjtë krijuan histori bazuar në imazhe si dhe realizuan foto për t’i prezantuar te grupet e tjera.
Gjatë ditës së dytë u organizua një panel diskutimi i hapur përbërë nga Gentian Guni, Gentiana Ahmeti, Xheni Hatillari dhe Fation Binjaku për përfshirjen e audiencës në raportimin në media.
Paneli u përqendrua te llojet e audiencave, lajmet e rreme si dhe tek efekti i teknologjisë, të rinjtë dhe media sot. Të rinjtë shprehën interes mbi efektin e teknologjisë artificiale tek mendimi kritik mediatik si dhe mbi perspektivën në media e si kjo kanalizohet tek audienca.
Pas realizimit të moduleve, të rinjtë krijuan ese me temë të lirë. Esetë u lexuan nga një juri e përzgjedhur me ekspertë të medias dhe publicistikës, të cilët vlerësuan 4 esetë më të mira.
Ditën e tretë u krye shpallja e 4 eseve më të mira nga Adisa Dauti, Irsjola Zela, Fatime Gjana dhe Lorena Hasanaj.
Të rinjtë me 4 esetë më të mira fituan një punë praktike me pagesë në media dhe kompani lokale, në fushën e komunikimit, PR-it dhe gazetarisë.
Në Ponder Kukës ditën e tretë nderoi me prezencën e saj nënkryetarja e Bashkisë së Kukësit, znj. Elgida Bilali, e cila shprehu mirënjohjen e saj për organizimin e Ponder në qytetin e Kukësit dhe përfshirjen e të rinjve të qarkut të Kukësit në këtë aktivitet, që synon të fuqizojë mendimin e tyre kritik në raport me mediat.
Të gjithë mentorët e të rinjtë pjesëmarrës u vlerësuan me çertifikata dhe ndanë me ekipin mbresat e kësaj eksperience.