Media dixhitale në nivel botëror ka sjell avantazhe të paprecedent për të gjithë të rinjtë. Ajo ka ndikuar në formësimin e ndërveprimeve njerëzore, duke na bërë të ndjehemi më afër njëri-tjetrit. Megjithatë shpejtësia me të cilën informacioni përhapet në këtë hapësirë përbën një sfidë më vete.

UNICEF dhe ICTSlab organizuan për vitin e dytë me radhë aktivitetin social-rinor PONDER ku 60 të rinj të moshës 14-21 vjeç përgjatë datave 19-20-21 Nëntor u angazhuan në tre ditë leksione, ushtrime dhe lojëra të cilat forcojnë aftësinë e tyre të mendimit kritik.

PONDER është një program social rinor i cili ka për qëllim të nxisë aftësinë e të menduarit kritik veçanërisht përballë informacionit dhe mesazheve që ata konsumojnë nga media sociale dhe ajo tradicionale dhe organizohet në kuadër të fushatës “Transformimi i Përgjigjes Kombëtare ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore në Shqipëri dhe nga Shqipëria.”

Misioni i PONDER është të rrënjosë aftësitë e mendimit kritik tek adoleshentët duke i trajnuar dhe edukuar me kurrikulë e cila vë theksin tek rolit i medias në kulturën dhe shoqërinë tonë. Formësimi i një qasje kritike ndaj informacionit, identifikimi dhe analizimi i këndvështrimeve të ndryshme dhe vërtetësisë, gjykimi i autenticitetit, vlerës dhe burimit të informacionit janë aftësi që të rinjtë i ushtrojnë përgjatë programit PONDER.

60 të rinj të ndarë në grupe me 15 mentorë fituan njohuri në shkrim lexim kritik mediatik, në llojet e mediave dhe audiencat e tyre, në leximin e fotografive dhe nocioni i bukurisë duke u përmbyllur me krijimin e një skice dhe shkrimin e një artikulli mediatik.

Në fund të workshopit të rinjtë punuan artikuj të cilët u vlerësuan nga juria e PONDER ku i ftuar special ishte gazetari i Top-Channel z. Ardi Pulaj. Nga 28 punime të dala prej PONDER, 11 prej tyre u shpallën fitues të cilët do të përfitojnë internshipe pranë institucioneve të medias në Shqipëri.

Programi PONDER dëshmon edhe njëherë tjetër se të rinjtë Shqiptarë janë forcë transformuese në shoqëri.

Ceremonia e certifikimit të PONDER erdhi me një lajm tjetër të mirë për të rinjtë dhe të rejat. Themeluesi i ICTSmedia z. Kushtrim Shala prezantoi “Konkursi i kritikeve te rinj” organizuar në mënyrë ekskluzive përmes aplikacionit Ponder.

Konkursi synon të vlerësojë talentet e reja në shkrim dhe lexim kritik mediatik duke u dhënë mundësinë të rinjve të konkurrojnë në tre kategori dhe punimet më të mira do të fitojnë pajisje ICT. Të rinjtë mund të dërgojnë shkrimet në kategoritë: Shkrim – lexim kritik mediatik; Interpretim dhe deshifrim i lajmeve; Identifikim i lajmeve dhe influenca e tyre mbi shikuesit.

Fituesit e PONDER dhe punimet e tyre

Tea Aliaj – Integrimi i Shqipërisë në BE, një dritë në fund të tunelit apo një rreth tjetër i ferrit të Dantes?

Briselda Kumanaku – Dënimi me vdekje

Lala Paja – Filmat vizatimor, stereotipet dhe nënvlerësimi i figurës femërore në filmat vizatimor

Markel Pajo – Shpërdorimi i ushqimit, ndikimet e tij

Soni Seli – Fake News në Facebook

Nigel Xherimeja – Dështimi është pjesë e procesit dhe të ndihmon të bëhesh versioni më i mirë i vetes

Kristina Rrustemi – Ndikimi i i stereotipeve gjinore në pabarazinë dhe diskriminimin e grave në tregun e punës

Elsea Hyso – Të rrish a të mos të rrish; kjo është çështja

Arbana Doci – Pastërtia e figurave politike

Selina Como – E shkuar jo e harruar…

Sonja Petro – Përcjellja e informacionit dhe vërtetësia e tij në media