Ky shkrim është përgatitur në kuadër të programit Ponder Albania me fokus mendimin kritik në media, udhëhequr nga UNICEF Albania dhe implementuar nga ICTSlab.

 

Kristina Rrustemi / Ponder Albania

 

Pothuajse të gjithë individët janë të ekspozuar ndaj stereotipeve gjinore pavarësisht zhvillimit të vendit në të cilin jetojnë. Shoqëria shpesh i mbështet këto stereotipe dhe pse janë të dëmshme dhe kufizojnë gratë dhe burrat për të zhvilluar aftësitë e tyre personale dhe profesionale. Nëpërmjet informimit të lexuesit mbi mënyrën sesi stereotipet gjinore ndikojnë ndikojnë në diskriminimin dhe pabarazinë e grave tregun e punës, ky punim ka për qëllim ndërgjegjësimin mbi ndikimin e këtyre fenomeneve dhe rritjen se numrit të grave të punësuara.

Stereotipet gjinore janë ide të përgjithësuara në lidhje me karakteristikat dhe atributet që duhet të zotërojnë gratë dhe burrat dhe pothuajse të gjithë janë të ekspozuar ndaj tyre. Sipas Burgess & Borgida (1999), stereotipet gjinore mund të jenë përshkruese dhe udhëzuese. Stereotipet përshkruese përcaktojnë gratë dhe burrat, ndërsa nga ana tjetër, stereotipet gjinore udhëzuese përcaktojnë se çfarë gratë dhe burrat duhet të bëjnë. Të dyja këto stereotipe ndikojnë negativisht duke kufizuar secilën gjini në shumë aspekte të jetës, përfshirë edhe vendin e punës. Për më tepër, sereotipet gjinore shafqen që në fëmijëri dhe ekzistojnë disa faktorë që kanë ndikim të madh në krijimin dhe fuqizimin e tyre. Familja mund të përmendet si një ndër faktorët më ndikues. Nëse në familje kemi trajtim të barabartë dhe përkujdesje të njëjtë për të dyja gjinitë atëherë do të jemi më larg modeleve stereotipike, por në të kundërt do të kemi fuqizimin e tyre (Molla, 2016). Krahas familjes një faktor tjetër është edhe shkolla e cila në shumicën e rasteve diferencon lëndët sipas gjinisë. Djemtë shihen se janë më të prirë ndaj shkencave ekzakte ndërsa vajzat ndaj atyre shoqërore. Kjo më vonë do të ndikojë dhe në zgjedhjen e profesionit. Edhe media shpesh promovon stereotipet gjinore, ku për shembull nëpërmjet shfaqjeve televizive apo reklamave tregon se gratë merren me pastrimin e shtëpisë dhe rritjen e fëmijëve. Në revista të ndryshme gjithashtu promovohen stereotipe duke treguar se gratë duhet të jenë të bukura dhe të mrekullueshme (Keller, 2011).

Faktorë të tjerë ndikues ne krijimin dhe fuqizimin e stereotipeve janë lojrat me bashkëmoshatarët ku lodrat përcaktohen sipas gjinisë dhe filmat e animuar të cilët theksojnë rolet gjinore. Ndër vite përmbajtja e tyre është studiuar gjerësisht dhe është identifikuar se stereotipet gjinore kanë disa atribute të përbashkëta. Në këto atribute së pari përfshihen karakteristikat fizike. Kjo ka të bëjë me faktin se burrat shpesh shihen si të fortë ndërsa gratë si të bukura por delikate. Së dyti, janë interesat dhe pëlqimet. Supozohet se gratë pëlqejnë të zhvillojnë aktivitete ndryshe nga ato që pëlqejnë të zhvillojnë burrat dhe kundërta, për shembull futbolli shihet si një aktivitet që preferohet nga burrat. Një atribut tjetër që përfshihet kur flasim për stereotipe gjinore janë edhe rolet sociale (gratë duhet të kujdesen për fëmijët dhe shtëpinë, burrat duhet të punojnë jashtë shtëpisë). Së fundmi janë profesionet, të punarit si edukatore apo parukiere për shembull është punë grash, ndërsa të punuarit si murator apo inxhinier është punë që duhet ta bëjnë vetëm burrat (Kotherja, 2017). Nga ana tjetër, studimet në fushën e psikologjisë ndër vite u kushtojnë më shumë rëndësi tipareve të personalitetit.

Kjo ka të bëjë me bindjet se gratë konsiderohen si më të buta, më të përkushtuara dhe edukuara, ndërsa burrat konsiderohen si me agresivë, të guximshëm, konkurrues dhe të pavarur (Kite et al, 2008). Të gjitha këto supozime për gratë dhe burrat janë jo vetëm të ndryshme, por edhe kundërshtuese. Kjo sepse grave u atribuohen karakteristika që u mungojnë burrave dhe e kundërta burrave u atribuohen karakteristika që i mungojnë grave. Megjithatë edhe pse janë të ndryshme, konceptimet për gratë dhe burrat kanë si anë negative ashtu edhe pozitive ndonjëherë. Në shumicën e rasteve mendohet se gratë ndikohen më negativisht se burrat nga stereotipet gjinore. Por ka dhe nga ata që mendojnë se ato i japin avantazh grave, i vlerësojnë më shumë duke i konsideruar dhe qenie të mrekullueshme shpesh-herë (Heilman, 2012). Për më shumë, me stereoipet gjinore, ashtu si në shumë aspekte mund të përballemi dhe kur duam të zhvillojmë profesionin tonë dhe madhësia e ndikimit të tyre në këtë rast mbetet e konsiderueshme. Edhe pse vitet e fundit numri i grave të punësuara në vende pune që tradicionalisht janë cilësuar si mashkullore është rritur përsëri shumica e tyre vazhdojnë të punojnë në profesione që kanë të bëjnë me arsimin dhe shëndetësinë, pra profesione këto të cilësuara si “femërore”. Dhe burrat nga ana tjetër në shumicën e rasteve mbajnë pozicione tradicionalisht mashkullore (drejtues dhe vendimmarrës). Stereotipet gjinore të krijuar dhe trashëguar ndër vite kanë kontribuar në krijimin e pabarazisë dhe diskriminimit gjinor në tregun e punës. Kjo mund të evidentohet lehtësisht edhe në jetën tonë të përditshme. Nëse për të njëjtin vend pune do të aplikojnë individë të të dyja gjinive, në këtë rast burrat do të jenë më të favorizuar sepse ekziston paragjykimi që gratë janë të përkushtuara ndaj familjes (sidomos në rastet kur janë nëna) dhe kjo do t’i pengojë ato në zhvillimin e profesionit ose do të kenë mungesa në punë. Një rast tjetër që mund të vihet re shpesh janë edhe njoftimet për punë të cilat kanë si kriter kryesor faktin që gratë duhet të jenë beqare. Pra, në të dyja këto raste vërehet lehtësisht mentaliteti i shoqërisë që ka krijuar këto stereotipe gjinore të theksuar (Zmijanej, 2018).

Diskriminimi gjinor ekziston jo vetëm gjatë kohës që gratë dhe burrat kërkojnë punë por edhe në vendin e punës. Ata shpesh përballen me trajtim jo të barabartë. Ky trajtim u jep mundësi të ndryshme burrave dhe grave dhe mund të ndikojë edhe në mënyrën e pagesës, për shembull kur një grua paguhet më pak se një burrë për të njëjtin vend pune. Nivelet e pagesës ndryshojnë për disa arsye: diferencimi profesional në bazë të përkatësisë gjinore; shpenzimi i kohës së grave për t’u kujdesur për fëmijët dhe si rrjedhojë, kanë mungesë përvojë; gratë kanë tendencë të punojnë më pak jashtë orarit sesa burrat etj (Blau & Kahn, 2007). Fenomene si diskriminimi apo pabarazia mbi bazën e stereotipeve gjinore në vendin e punës janë shumë të rëndësishme sepse ndikojnë jo vetëm në zhvillimin personal të individit por edhe në mbarëvajtjen e organizatës në të cilën ata punojnë. Ato bëhen problematike në mjediset e punës dhe ndikojnë edhe në performancën në punë. Ndikimi mund të jetë i drejtpërdrejtë ashtu si në rastet e sipërpërmendura, por mund të kenë dhe ndikim jo të drejtpërdrejtë. Kjo ndodh në rastet kur stereotipet gjinore jo vetëm që ndikojnë në mënyrën se si individët vlerësohen nga të tjerët, por gjithashtu ndikojnë në mënyrën se si ata vlerësojnë veten. Stereotipet mund të formojnë individë më vetëvlerësim të ulët dhe më pas e gjitha kjo do të reflektohet në performancën e tyre në punë (Hentschel et al., 2013). Për shembull, në disa hulumtime është vënë re që kur gratë bëjnë vetë-përshkrime shprehen se janë më pak kompetente sesa bashkëpunëtorët e tyre meshkuj. Megjithatë duhet pasur parasysh që performanca në punë nuk ndikohet vetëm nga konceptimet se si është një individ, por edhe nga përshtatja e karakteristikave të individit me karakteristikat e nevojshme për të kryer një punë (Eagly & Karau, 2002).

Diskriminimi me bazë gjinore ndodh kudo, përfshirë edhe Shqipërinë, ku tregu i punës mbizotërohet nga meshkujt. Edhe pse Shqipëria ka parë një rritje ekonomike në vitet e fundit, pozita e grave në tregun e punës vazhdon të mbetet mbrapa me atë të grave në shtetet e Bashkimit Evropian (BE). Shumica e grave që janë të punësuara bëjnë punë të papaguar në bizneset familjare ose punojnë në profesione shumë pak të paguara (INSTAT, 2014). Këto të gjitha ndodhin sepse gratë në shoqërinë shqiptare, ashtu si dhe në shumë shoqëri të tjera, konsiderohen si shtylla e shtëpisë, duke mbajtur shtëpinë dhe kujdesur për fëmijët e tyre, duke u kujdesur për më të moshuarit në familje, madje duke u kujdesur edhe për partnerin/bashkëshortin e tyre (Elezi, 2017).

Llubani së bashku me kolegët (2019), në një hulumtim për Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (QAGjZh) zbuluan se diskriminimi me bazë gjinore në Shqipëri ekziston dhe në vendin e punës. 18% e grave dhe 6% e burrave të cilët u anketuan online gjatë këtij studimi pohojnë se kanë përjetuar diskriminim me bazë gjinore në punë. Të dhënat na tregojnë se probabiliteti që të përjetosh diskriminim me bazë gjinore në punë është 3 herë më i lartë për gratë sesa për burrat. Gjithashtu, mundësitë që të përjetosh diskriminim me bazë gjinore janë katër herë më të larta nëse punon në sektorin publik, krahasuar me sektorin privat. Për sa i përket shtrirjes gjeografike, diskriminimi mbi bazën e stereotipeve është më i pranishëm në Tiranë se sa në qytetet e tjera të vendit. Vlen të përmendet se shteti shqiptar për arritjen e barazisë gjinore në punë ka si prioritete kyçe rritjen e përfaqësimit të grave në politikë-bërje, vendimmarrje dhe eliminimin e dhunës me bazë gjinore punë etj.

Këtyre fenomeneve u kushtohet shumë rëndësi sidomos nga organizatat të cilat duan të punësojnë individë të kualifikuar pa marrë parasysh dallimet gjinore sepse në këtë mënyrë rritet performanca në punë dhe fitimet e kompanisë rrjedhimisht do të jenë më të larta. Megjithatë gratë në pothuajse të gjitha shoqëritë, duket se akoma janë më të paragjykuara se burrat kur bëhet fjalë për zhvillimin e profesionit. Edhe në rastin e Shqipërisë gratë janë ato që ndikohen më negativisht nga stereotipet gjinore. Në këtë ese u paraqitën dhe disa të dhëna statistikore të cilat u gjetën në disa studime të bëra në Shqipëri, por të financuara nga vende evropianë. Ky informacion statistikor na tregon se edhe në Shqipëri gratë janë ato që paragjykohen me tepër mbi bazën e stereotipeve në vendin e punës. E gjithë shoqëria në tërësi humbet kur lejon që njerëzit të vlerësohen mbi gjininë dhe jo mbi atë se çfarë janë në të vërtetë. Prandaj duhet që në të ardhmen të ndërgjegjësohemi sa më shumë për këtë. Ndërhyrjet që synojnë rritjen e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në tregun e punës duhet të përqendrohen në: shtimin e mundësive për trajnim dhe kualifikime; ofrimin e mundësive të kujdesit për fëmijët në komunitet, si kopshte dhe çerdhe; promovimin dhe punësimin e grave në institucione të nivelit vendor dhe qendror; rritjen e ndihmesës së burrave në shtëpi; krijimin e shtysave për gratë që ato të hapin bizneset e tyre dhe krijimin e mundësive që gratë të punojnë nga shtëpia. Ndërhyrje të tjera të cilat sugjerohen duhet të përqendrohen tek: edukimi i djemve që në moshë të vogël, puna me anëtarët e familjes që nuk i lejojnë gratë të punojnë; rritja e ndihmës së shtetit për gratë; ndryshimi i qëndrimeve të shoqërisë ndaj rolit të grave në shoqëri dhe shtimi i mbështetjes familjare për përparimin e grave në karrierë