Ky shkrim është përgatitur në kuadër të programit Ponder Albania me fokus mendimin kritik në media, udhëhequr nga UNICEF Albania dhe implementuar nga ICTSlab.

 

Lala Paja / Ponder Albania

 

Në qendër të këtij punimi vendosen filmat vizatimor, stereotipet dhe nënvlerësimi i figurës femërore në animacion. Për vite me radhë filmat vizatimor kanë luajtur një rol thelbësor në procesin e të nxënit te fëmijët, duke filluar që në moshë të hershme (William, 1981 siç citohet te Ahmet et al., 2014). Ato idealizojnë një botë të përsosur e me ngjyra. Mirëpo, jo gjithmonë figurat apo situatat që televizioni paraqet janë të përshtatshme e këshilluese. Disa studime tregojnë sefenomene të tilla si stereotipizmi kanë ekzistuar vite më parë, gjë e cila vazhdon edhe në ditët e sotme. Qëllimi i këtij punimi është të informojë lexuesit mbi ekzistencën e stereotipeve në filmat vizatimor si dhe të japi një pikëpamje më të qartë të disbalancës midis personazheve femërore dhe mashkullore.

Filmat e animuar kanë luajtur një rol të rëndësishëm dhe domethënës në jetën e fëmijëve në mbarë botën. Animacioni është një metodë në të cilat figurat apo kukullat e njëpasnjëshme fotografohen nga një aparat fotografik për të krijuar një iluzion lëvizjeje në një sekuencë (Ahmed & Wahab, 2014). Kjo metodë u ka dhënë mundësi tregimtarëve të tregojnë histori interesante dhe tërheqëse duke i paraqitur ato në mënyrë unike. Studimet kanë raportuar se fëmijët parashkollorë ekspozohen më tepër ndaj televizionit në krahasim me adoleshentët, duke kaluar më shumë kohë. Sipas Anderson, mediat kanë një ndikim pozitiv pasi rezultatet e tij treguan se nxënësit e shkollave të mesme që ishin ekspozuar rregullisht ndaj televizionit, kishin arritur rezultate më të larta në krahasim me pjesën tjetër të nxënësve. Ndërkohë, hulumtime të tjera nxjerrin në pah efektet dhe ndikimet negative që televizioni dhe media kanë te fëmijët dhe te të rinjtë (Towbin et al., 2004).

Në ditët e sotme, televizioni është një faktor i cili ka një ndikim të madh në formimin e qëndrimeve, besimeve dhe stereotipeve me bazë gjinore. Shumëllojshmëritë e sjelljeve të shprehura nga personazhet meshkuj apo femra në filmat vizatimor, shpesh pasqyrojnë të tilla fenomene (Miachel et al., 2012). Gajek pranon se mënyra që zgjedhin mediat për të përshkruar dhe paraqitur pakicat etnike apo raportin midis femrave dhe meshkujve pjesëmarrës në animacion, ndikon fuqishëm në qëndrimet e njerëzve ndaj diversitetit (Soares, 2017). Çdo individ i një kulture përkatëse krijon kuptimet e veta për secilën gjini nisur nga familja, media apo mjedisi ku jeton. Këto kuptime përbëhen nga disa mendime e korniza të cilat lidhen me mënyrën sesi çdo gjini, femërore apo mashkullore duhet të sillet. Nëse këto parashikime dalin jashtë kornizave dhe ekzagjerohen, individët priren drejt paragjykimit, gjë e cila çon në formimin e stereotipeve. Stereotipet përkufizohen si ide apo imazhe paragjykuese për secilën gjini. Ato janë shenjë e pabarazisë gjinore dhe ndryshojnë nga njëri seks në tjetrin (Miachel et al., 2012). Stereotipet e bazuara në gjini, racë dhe kombësi kanë ekzistuar në animacion që nga fillimi i tij, gjë e cila vazhdon të jetë prezente edhe në ditët e sotme (Towbin et al., 2004).

Hulumtime të shumta kanë zbuluar se portretizimi i roleve gjinore sipas barazisë së mashkullit dhe femrës nuk ka pasur zhvillim pasi televizioni nuk ka bërë asnjë përpjekje për të paraqitur një perspektivë të qartë dhe të ekuilibruar për gratë dhe burrat. Në filmat vizatimor, imazhi tradicional i personazheve meshkuj dhe femra vazhdon ende të jetë i njëjtë (Ahmed & Wahab, 2014). Në një mstudim mbi paraqitjen e roleve gjinore dhe shpeshtësinë e seksit në animacione Helleis (2004, siç citohet tek Michael et al., 2012), zbuloi se gjinia mashkullore ishte gjinia më mbizotëruese dhe se niveli pjesëmarrës i femrave ka pësuar një rënie tronditëse. Sipas Brewer (2018), 20-40 % e roleve prezente në animacion ishte i mbajtur nga gratë. Rossana Monley, koordinatore krijuese e Blinkink, thekson se një ndër faktorët kryesor ndikues në këtë disbalancë është drejtimi që fëmijët marrin në familje që në momentin kur ata vijnë në jetë, foshnjëri, fëmijëri e më vonë. Historikisht vajzat janë trajtuar si qenie të brishta dhe të ëmbla, të cilat duhet të merren me art, vallëzim e balet.

Nga ana tjetër, djemtë inkurajohen drejt fortësisë e agresivitetit. Të njëjtat qëndrime kanë vazhduar të mbizotërojnë edhe në filmat vizatimor. Në mënyrë të veçantë, personazhet meshkuj përshkruhen si më aktiv, dominues, agresiv, plotë aksion e të pavarur. Ata paraqiten si shumë të zënë me punë, me luftërat apo punë që i siguron familjes ushqim. Ndërsa femrat portretizohen si më të mbrojtura, të varura, të zgjuara, të dhembshura, seksi, pasive e në disa situata të padobishme (Michael et al., 2012). Djemtë jo vetëm që tejkalojnë numrin e personazheve femra por gjithashtu përfshihen edhe në një larmi rolesh të ndryshme duke e bërë gjininë femërore të shfaqet edhe më e nën përfaqësuar (Ahmed & Wahab, 2014). Wiersma (2001, siç citohet te Towbin et al., 2004) zbuloi se stereotipet përfshihen edhe në rolin e punës të personazheve. Ai zbuloi se personazhet mashkullore të Disney, pozicionohen në një larmi punësh si kuzhinier, shitës, doktor, guvernator, avokat, muzikant etj.

Ndërkohë, vetëm katër prej personazheve femërore përfshihen në të tilla pozicione. Një diferencë e tillë vihet re edhe në punët e shtëpisë ku gjinia femërore është ajo e cila priret drejt tyre, ndërsa angazhimi i meshkujve në të tilla drejtime vazhdon ende të mbetet i njëjtë. Mënyra sesi gjinia femërore portretizohet në animacion ndikon në qëndrimet pozitive apo negative të shikuesit. Edhe pse në dhjetë vitet e fundit mund të ketë një ndryshim relativisht të vogël, Gidensi (2007) thekson se gjinia femërore në shumicën e shoqërive njerëzore do të priret drejt përfaqësimit të seksit të dobët. Studime të ndryshme nga autorë të ndryshëm kanë nxjerrë në pah një sërë faktorësh dhe argumentesh pse pjesëmarrja e femrave vazhdon në këto ritme. Një studim mbi përcaktimin e rolit të regjisorit midis dy gjinive rezultoi se gjatë 12 viteve të fundit, vetëm 3% e gjithë regjisorëve të filmave vizatimor ishin femra (Brewer, 2018). Të dhënat tregojnë se pasi gratë bëhen pjesë e fushës së animacionit, ato largohen ose angazhohen në punë të tjera duke braktisur pozicionin e caktuar në animacion (University of Southern California, 2019). Nga disa intervista të kryera mbi shkaqet e nivelit të ulët të femrave në filmat vizatimor, subjektet raportuan se kultura mashkullore në industri dhe nënvlerësimi i figurës së grave ishin faktorët kryesorë që shiheshin si pengesa të cilat ndikonin ndjeshëm në karrierën e një femre (Brewer, 2018). Towbin së bashku me disa studiues të tjerë (2004), në përfundim të analizës së filmave vizatimor me shikueshmërinë më të madhe raportuan katër opinione që lidhen me nën përfaqësimin e figurës femërore: pamja e një vajze vlerësohet më shumë sesa intelekti i saj, gratë mbipesha janë të shëmtuara e të pakëndshme, ato janë të varura dhe shtëpiake si edhe portretizohen si të pafuqishme dhe kanë nevojë të mbrohen nga persona të tjerë kryesisht nga personazhet meshkuj. Tek përralla e Hirushes, me paraqitjen e figurës së saj si një vajzë e bindur dhe në pritje të princit mbështetet edhe sindroma psikologjike e varësisë e njohur ndryshe si Kompleksi i Hirushes, një kompleks i cili gjendet te femrat që dëshirojnë varësinë në vend të pavarësisë. Këto femra gjenden në pritje të një personi i cili do të ndikojë në jetën e tyre duke e transformuar atë për një mundësi më të mirë.

Edhe në rastet kur një femër paraqitet heroinë dhe me pikëpamje pozitive, meshkujt ende do të besojnë se janë të dobta e të brishta. Për më tepër, hulumtimet kanë nxjerrë në pah se në momentin kur vajzat paraqiten si femra të dobta, meshkujt priren të pajtohen me idenë se janë më të aftë në krahasim me ato (Michael et al., 2012). Janë vënë re ndryshime gjatë viteve të fundit, industri të cilat ndërgjegjësohen më tepër për çështjen e diferencimit gjinor në animacione. Teal Triggs, drejtoresha aktuale e animacionit, vë në dukje problemet me të cilat është duke u përballur industria në lidhje me çështjet gjinore. Si shumë industri të tjera edhe animacioni përballet me sfida të thella e rrënjësore. Sipas Triggs, niveli i përfaqësimit të femrave në animacion shpreh një nevojë urgjente për rishikimin e teknikave dhe praktikave të cilat korporatat janë duke përdorur. Ajo mendon se një bashkëpunim i mirë midis industrisë dhe organizatorëve do të siguronte një ndarje të barabartë të roleve midis gjinisë femërore dhe mashkullore. Në këtë mënyrë grave do t’iu ofrohet një mundësi e barabartë për të sjellë personazhe që mbartin zërat e tyre në industritë krijuese. Kompani të tjera kanë vazhduar me një nënshkrim të gjinisë femërore, ku 50% e pozicionit drejtues t’iu përkasi atyre. Me këtë hap, industria synon një ekuipazh të ekuilibruar gjinor dhe përfshirjen e një game më të gjerë talentesh nga të gjitha sferat. Në të njëjtën kohë, filmat vizatimor dedikuar fëmijëve do të jenë më edukativë, më të kujdesshëm dhe të rishikuar me vëmendje në një mënyrë që të mos influencojë në stereotipe (Haasch, 2019).

Në përfundim të punimit, mbetet për tu theksuar se bashkëpunimi i mirë midis industrive dhe ndarja e barabartë e roleve midis dy gjinive, mund të jenë hapat kryesorë e të rëndësishëm të cilët mund të ndikojnë në rregullimin e kësaj disbalance.