Ky shkrim është përgatitur në kuadër të programit Ponder Albania me fokus mendimin kritik në media, udhëhequr nga UNICEF Albania dhe implementuar nga ICTSlab.

 

Briselda Kumanaku / Ponder Albania

 

“Më shau, prandaj e vrava.”- u shpreh Klodian Çalamani rreth vrasjes së djalit 8 vjeçar ne Fier. Me të drejtë ky krim tronditi të gjithë opinionin publik, i cili kërkoi me ngurrim rivënien në fuqi të dënimit me vdekje. Familjarët e viktimës organizuam gjithashtu, një peticion ku kërkonin me ngulm dhënien e dënimit me vdekje për vrasësin, gjë që u mbështet nga një numër i madh qytetarësh të tjerë.

“Kërkoj varjen në mes të Fierit sot, ma sillni këtu.” – u shpreh e ëma e viktimës tepër e frustruar. E gjithë kjo situatë na bënë të ngremë pyetjen: A do të ishte vërtetë rikthimi në fuqi i dënimit me vdekje një vendim i drejtë për vendin tonë.

Si për ironi të fatit, rasti i fundit marrjes së po këtij ndëshkimi ndodhi në Fier rreth përpara 3 dekadash. Më 5 qershor të vitit 1992, Shqipëria në hapat e para të rrugëtimit të saj demokratik vendosi ta lejonte marrje e këtij vendimi për dy vëllezërit, Josif dhe Dritëbardh Çuko, të cilët u bënë shkak e 5 vrasjeve të njëpasnjëshme (prej të cilave një foshnje 8 muajsh) në atë që u konsiderua gjerësisht si “Masakra e Libofshës” .

Presioni social, ashtu si dhe në ngjarjen e kohërave të fundit në Fier, u bë shtysa më e fortë e marrjes së këtij vendimi. Këta kriminel shihen si individ që u ka humbur ndjenja e humanizmit, aftësia e përmirësimit dhe ndryshimit, por edhe aftësia për të luajtur të paktën një rol pozitiv në shoqëri dhe si rrjedhojë vendimi që do të sillte “të mirën e përbashkët” është largimi përfundimtar nga ekzistenca e këtij individi. Në parim, kjo do të sillte vetëm të mira për shoqërinë/qeverinë që e zbaton pasi është një zgjidhje e thjeshtë, pa ndikim në ekonomi, që gjithashtu ka mundësinë të parandaloj krimet e tjera të këtij lloji, për shkak të frikës së dënimit. Gjithashtu vlen të përmendet edhe fakti se të afërmit e viktimave mund të fitojnë “kënaqësinë” e vendosjes së drejtësisë.

Nga ana tjetër, i gjithë koncepti i dënimit me vdekje bije në konflikt me atë të demokracisë, në ne përpiqemi të mbrojmë. Demokracia është ndërtuar mbi respektimin e plotë të të drejtave të njeriut, nga të cilat më të rëndësishmen mund të përmendim atë për të jetuar.

Me të vërtetë krimineli mund të ketë shkelur mbi këtë të drejtë, por sërish është tepër ironike e në kontrast me vetën të ndëshkosh me vrasje krimin e vrasjes kur parim kryesor është jeta. Ashtu siç do përpiqet të thotë edhe Kamy në dramën e tij “Kaligula”: “Paqja nuk vendoset me dhune, se dhuna sjell vetëm dhune”, unë do të kundërshtoja fortë tezën e rikthimit të dënimit me vdekje. Duke besuar se dënimi më i ashpër që njeri mund të përjetoj është jetesa ndërkohë që ke humbur çdo liri për të jetuar me të vërtetë dhe e vetmja detyrë e jotja është kuptimi dhe pranimi i gabimit.