Fatma Gjana, një e re 18 vjeçare nga qyteti i Kukësit, pati mundësinë që përmes esesë së saj me titullin “Të jesh i lumtur” në programin social-rinor të mund të merrte pjesë në intershipin e mundësuar pranë Baz’hur Hotel në Kukës, një sipërmarrje e re në qytet me një fokus në promovimin e turizmit në Kukës dhe përkrahës së përfshirjes së të rinjve.
PONDER është një program social rinor nga UNICEF Albania në bashkëpunim me ICTSlab. Ky program ka si qëllim të nxisë tek të rinjtë aftësinë e të menduarit kritik, veçanërisht në lidhje me informacionet që marrin nga të gjitha llojet e mediave. PONDER realizohet nëpërmjet një kurrikule e cila përmban: Leksione, Lojëra dhe Ushtrime interaktive në një Workshop 3 Ditor. Në datat 1-3 Dhjetor, PONDER ndaloi në Kukës ku 4 të rinj fituan pas përfundimit të workshopit, përmes shkrimit të një eseje, mundësinë për të kryer një internship të paguar.
Ajo pas një muaji intensive duke shërbyer pranë këtij biznesi, u ftua nga drejtuesit e sipërmarrjes të vazhdonte punën e saj pranë kësaj sipërmarrje. Ajo shprehet kështu për eksperiencën e saj:
“Thirrja për të realizuar trajnimin në qytetin tim ishte një sfidë e papritur për mua. Edhe pse fillimisht isha dyshuese nëse do të aplikoja apo jo, pasi mora të gjitha informacionet e nevojshme, vendosa të dërgoj aplikimin tim. Vendosa të aplikoj së bashku me shoqërinë time, dhe kjo ishte një vendim i frytshëm, një sugjerim i dhënë nga mësuesja jonë dhe mentorja jonë e mëparshme, Xheni.
Takimi i parë ishte një përvojë e mrekullueshme. Socializimi mes pjesëmarrësve dhe mikpritja e ngrohtë nga mentorët tanë krijuan një atmosferë frymëzuese. Fjala e parë që dëgjova nga Xheni më goditi thellë: ‘Ponder është si ai detergjenti që hedhim në ujin e pishinës për ta pastruar, që na pastron, qartëson çdo ide e arrin të mbushë çdo boshllëk.’ Tani e kuptoj që ajo kishte të drejtë.
Mentori im ishte Fation Binjaku, një person që na udhëhoqi nëpër çdo sfidë dhe gjithmonë arrinte të na bashkonte si grup. Bashkëpunimi mes nesh në krijimin e historive me anë të fotove ishte një përvojë e mahnitshme. Historitë tona ishin jo vetëm të ndryshme dhe kreative, por edhe plot frymëzim.
Ditën e dytë na u informua që nëse kishim dëshirë mund të dorëzonim një ese me temë të lirë dhe se do të kishte disa fitues. Në fillim isha në dyshim për të zgjedhur një temë, por në fund e zgjodha: ‘Të jesh i lumtur’, dhe shkrova esenë shumë vonë, me shumë dyshime për cilësinë e saj. Megjithatë, falënderoj mentorin tim dhe Xhenin që më inkurajuan ta dërgoj, edhe nëse ishte si një provë për mua. Emocionet ishin të mëdha ditën kur u shpallën fituesit. Kur pashë emrin tim të thirrej i treti, nuk mund ta besoja që isha një ndër fituesit. Dhe aty mu dha oferta për të vazhduar intershipin në një hotel të ri që ishte hapur në qytetin tonë, si menaxhere e mediave sociale në marketing.
Baz’hur Boutique Hotel ishte emri i tij. Edhe pse isha skeptike dhe e frikësuar në fillim, pranova sfidën. Takimi i parë me Zenelin, pronarin e hotelit, ishte shumë miqësor dhe më bëri të ndihesha të mirëpritur. Ai më tregoi me krenari çdo detaj për dhomat dhe shërbimet e tjera. Ditët e para ishin sfiduese, por vazhdoja me durim. Çdo postim që bëja në media sociale merrte aprovimin e tij. I gjithë stafi më trajtonte si një anëtar i tyre dhe unë ndihesha si në shtëpi.
Pasi përfundova praktikën, bisedova me Zenelin dhe ai vendosi që unë të vazhdoja punën. Kjo për mua ishte një ndjenjë e madhe vlerësimi dhe lumturie. Tani, pas dy muajsh që punoj në Baz’hur, e kuptoj që një punë, edhe e vogël, bëhet e arritshme kur bëhet me pasion dhe përkushtim të plotë.”