Duke jetuar në një epokë ku faktet e qarta dhe të thjeshta janë shndërruar në “specie në rrezik,” fëmijët dhe adoleshentët gjenden përballë sfidës së madhe të dallimit të informacionit të besueshëm nga ai jo i besueshëm, komunikimit të sinqertë dhe manipulimit të qëllimshëm.
Nga fragmentimi i burimeve tradicionale të lajmeve tek ngritja e rrjeteve sociale, pajisja e qytetarëve, veçanërisht të rinjve me aftësinë për të naviguar të sigurtë në “ambientet e turbullta mediatike” nuk është vetëm një garanci por një domosdoshmëri.
Në Nëntor të 2020-ës UNICEF në bashkëpunim me ICTSlab nisën për herë të parë në Shqipëri një program të edukimit informal i cili ka për qëllim të përmirësojë aftësinë e të menduarit kritik tek të rinjtë e gjimnazeve dhe shkollave të mesme të Shqipëri të moshës 15-21 vjeç ndaj informacioneve të të gjitha llojeve.
Ky aktivitet organizohet në kuadër të Projektit “Qëndro” me financimin e Qeverisë Italiane dhe në partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, Ministrinë e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive dhe Ambasadën Italiane në Shqipëri.
Është një program social-rinor i cili shkon për të rinjtë dhe adoleshentët e pasionuar në letërsi, shkrim, media të shkruar dhe vizive dhe median sociale për ti ndihmuar të dallojnë dezinformimin në përdorimin normal ditor të internetit dhe mediave sociale duke shfletuar në ueb, duke luajtur, shkëmbyer informacione apo socializuar në platforma të ndryshme.
Më 3-4-5 Nëntor Ponder zgjoi një kureshtje të madhe tek të rinjtë e qytetit të Elbasan me mbi 100 aplikime të mbërritura dhe 57 të përzgjedhur për t’ju bashkuar punëtorisë 3 ditore.
Nën shoqërinë dhe kujdesin e 9 mentorëve nga bota e medias dhe publicistikës si: Flogert Muça, Fation Binjaku, Xheni Hatillari, Manjola Hasa, Esmeralda Shala, Merita Hoxha, Krisi Kllapi, Anisa Bahiti dhe Gentian Guni nisi dita e pare e Ponder. Mes lojërave dhe ushtrimeve interaktive dhe pasi ndoqën trajnimet e dy moduleve të para mbi “Shkrimin dhe Leximin Kritik Mediatik” dhe “Llojet e Mediave,” të rinjtë mbyllën ditën e parë me filmin “Përtej Vijave” me një mesazh të fortë dhe sensibilizues për bullizmin në shkolla dhe gjimnaze.
U diskutua mbi këtë fenomen ku secili pjesëmarrës ndau mendimet e tij për ndikimin pozitiv që mund të kenë në shoqëri lidhur me këtë problem shqetësues të të rinjve në Shqipëri.
Dita e dytë e Ponder solli modulin e tretë dhe të katërt të “Leximit të Fotografive” dhe “Fuqizimi përmes Shkrimit dhe Leximit Mediatik.” Grupet krijuan histori duke u bazuar në imazhe të dhëna, realizuan foto të tyre dhe prezantuan duke bërë interpretimin e tyre.
Një bashkëbisedim interaktiv me mentorët, pjesëmarrësit dhe anëtarët e stafit dhe më pas dorëzimi i punimeve në formë eseje mbylli ditën e dytë.
Programi Ponder shpërblen punimet më të mira me intershipe me pagesë ku janë parashikuar 6 tilla. Në ditën e tretë nisur nga cilësia e punimeve, juria e Ponder shpalli 8 fitues: Klevi Hyka, Rubin Vrapi, Eliana Meda, Kamelisa Selami, Sara Hasa, Isli Kafexhiu, Selma Muzhaqi dhe Kledi Mita.
Të gjithë pjesëmarrësit, mentorët dhe vullnetarët u pajisën me certifikatë gjatë ceremonisë të shpalljes së fituesve ku mori pjesë bashkëthemeluesi i ICTSlab dhe ICTSmedia, z. Kushtrim Shala. Ai theksoi tek impakti që kjo eksperiencë ka tek të rinjtë.
Në një fshat global, të lidhur në mënyrë dixhitale përballë një përhapje të shpejtë të dezinformimit dhe lajmeve të rreme, programi Ponder thekson se të gjithë, por veçanërisht të rinjtë, duhet të jenë në gjendje të dallojnë të vërtetën nga manipulimi.
Ponder fuqizon adoleshentët ti qasen në mënyrë kritike informacionit, të shqyrtojnë dhe identifikojnë paragjykimet, të promovojnë vlerat dhe të jenë të aftë të gjykojnë vërtetësinë dhe burimin e informacionit që hasin.
Esetë fituese
- “30 vjet me/pa demokraci” nga Klevi Hyka.
- “Hamleti dje, sot dhe nesër” nga Rubin Vrapi.
- “Rinia shqiptare: proaktivitet për ardhmëri” nga Sara Hasa.
- “Derivatet e aktivizmit rinor” nga Kamelisa Selami.
- Ese argumentuese: Një filozof ka thënë: “Karakteri yt është diçka që ti zgjedh vetë që ta krijosh”. A i ndërtojmë vetë cilësitë e karakterit apo ai formohet nga ndikime që s’mund t’i kontrollojmë dot? Po ju si mendoni? nga Kledi Mita.
- “Krimet e nazistëve ndaj shqiptarëve” nga Eliana Meda.
- “A është i lirë njeriu në shkretëtirë?” nga Selma Muzhaqi
- “Raporti i shkrimtarit me politikën“ nga Isli Kafexhiu.